Lajme

LDK-ja reagon ashpër për ekspozitën e Shkelzen Gashit

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka cilësuar si “skandaloze” dhe “thellësisht të papranueshme” përmbajtjen e ekspozitës së fundit mbi luftën e Kosovës.

Sipas LDK-së ajo përfaqëson një devijim serioz nga e vërteta historike dhe një cenim të rëndë të dinjitetit të viktimave dhe familjeve të tyre.

Në një deklarim zyrtar, LDK-ja pohon se lufta e Kosovës nuk është një narrativë e hapur për relativizim, as një fushë eksperimentimi për interpretime që e deformojnë të vërtetën.

LDK thotë se lufta është një e vërtetë e dokumentuar, e vulosur me sakrificë njerëzore dhe e njohur nga bashkësia ndërkombëtare. Çdo përpjekje për ta shtrembëruar këtë të vërtetë nuk është vetëm e gabuar por edhe e dëmshme për kujtesën kolektive dhe për vetë themelet mbi të cilat qëndron Republika e Kosovës.

“Edhe më i rëndë është fakti se një përmbajtje e tillë është financuar dhe promovuar nga institucioni më i lartë i shtetit, nga Kuvendi i Kosovës. Ky nuk është thjesht një gabim në vlerësim; është një dështim serioz institucional. Shteti i Kosovës nuk mund të vendoset në rolin e sponsorizuesit të narrativave që bien ndesh me të vërtetën e luftës së tij dhe me dinjitetin e qytetarëve të vet.

Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh mbështetjen e plotë për angazhimin e Prokurorisë Speciale dhe pret që ky rast të trajtohet me seriozitet të plotë, paanshmëri dhe vendosmëri, deri në zbardhjen e çdo përgjegjësie të mundshme” thuhet në reagim.

Me këtë rast, LDK-ja ka kërkuar përgjegjësi të qartë publike nga të gjithë ata që kanë mundësuar financimin, mbështetjen dhe promovimin e kësaj ekspozite.

“Kjo përgjegjësi nuk është vetëm administrative; ajo është përgjegjësi ndaj historisë, ndaj viktimave dhe ndaj qytetarëve të Republikës.

Po ashtu, kërkojmë një kërkimfalje të qartë dhe publike të përgjegjësve shtetërorë ndaj familjeve të viktimave dhe të gjithë qytetarëve, për cenimin e ndjenjës së drejtësisë dhe të respektit që u takon atyre” shton LDK.

Ky subjet politik vlerëson se tema të tilla nuk mund të trajtohen pa standarde të rrepta profesionale, pa verifikim të thelluar dhe pa kontroll institucional.

“Kosova nuk mund të ndërtojë të ardhmen e saj mbi deformime të së vërtetës. Mbrojtja e së vërtetës historike dhe dinjitetit të viktimave është detyrim themelor shtetëror dhe vijë e kuqe që nuk mund të kalohet.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të qëndrojë e palëkundur në mbrojtje të këtyre parimeve, me përgjegjësi të plotë dhe me vetëdijen se e vërteta nuk negociohet” përfundon deklarata.

Të Ngjashme