Lajme

LDK-ja zbulon pllakën përkujtimore të Ismet Rracit

 
   

Në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës është zbuluar sot pllaka përkujtimore për veprimtarin dhe ish-kryetarin e Komunës së Klinës, Ismet Rraci, në 24-vjetorin e vrasjes së tij.

Kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, tha se pllaka është pjesë e koridorit të përkujtimeve në LDK, duke e cilësuar Rracin si një figurë të shquar të lëvizjes për liri dhe demokraci.

Ndryshe, Rraci u vra më 24 prill 2001, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në shërbim të vendit.

Njoftimi i plotë

Në praninë e familjarëve, zonjës Xhemile, djemve Albanit e Asimit; nën shoqërimin e deputetëve e anëtarëve të Kryesisë, sot zbuluam pllakën përkujtimore të Ismet Rracit, në 24 vjetorin e vrasjes së tij.

Kjo pllakë, pjesë e koridorit të përkujtimeve në LDK, krah Enverit, Xhemes e Nekibes, do të shërbejë si shenjë kujtimi për veprën e jashtëzakonshme të burrave e grave të shtëpisë tonë në shërbim të vendit.

Më 24 prill të vitit 2001, familja Rraci humbi më të dashurin e tyre; LDK një veprimtar të pashoq të orëve të rënda; Klina një kryetar komune të zgjedhur me votë demokratike; e Kosova një atdhetar të lëvizjes kombëtare për liri, pavarësi e demokraci.

Trashëgimia politike e Ismet Rracit vazhdon të jetojë brenda Lidhjes. Atë e gjejmë sot më së miri tek tani kryetari i degës sonë në Klinë, Albani, i biri i tij!

Ismet Rraci ishte themelues i Degës së LDK-së në Klinë. Pas përfundimit të luftës, ai ishte zgjedhur kryetar i Komunës së Klinës. Gjatë shkuarjes së përditshme për në punë, pranë hyrjes së banesës së tij, ishte vrarë më 24 prill të vitit 2001. Vrasësit ende janë në liri!

 
 
 
 

 

Të Ngjashme