Lajme

​LDK kërkon seancë të jashtëzakonshme për naftën

Lidhja Demokratike e Kosovës ka iniciuar thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit për çmimin e lartë të naftës.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, kritikoi qeverinë, siç tha, për neglizhencë në këtë drejtim.

LDK kërkon seancë të jashtëzakonshme për naftën

“Kemi ndërmarrë një iniciativë për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për rritjen e çmimit të naftës. Çmim i cili ka ndikuar në rritjen e të gjitha çmimeve të tjera dhe si rezultat i kësaj jemi duke u përballur me një krizë financiare, ku secili qytetar dhe familje është duke u përballur me vështirësi për shkak të inflacionit të madh dhe çmimit të naftës. Në këtë rast jemi në proces të mbledhjes së nënshkrimeve dhe do të propozojmë një rezolutë ku obligon qeverinë që të marrë masa të menjëhershme. Jemi të shqetësuar me qasjen e qeverisë dhe mosmarrjen e asnjë veprimi për të lehtësuar jetën e qytetarëve. Ka mundur të jetë implikim në akcizë, ulje të TVSh-së apo çfarëdo mase tjetër”, tha Lushaku.

Lushaku pas mbledhjes së Kryesisë foli edhe për zgjedhjen e presidentit, ku shtoi se përgjegjësia kryesore për këtë proces bie mbi LVV-në.

Si do t’i përgjigjet LDK-ja ftesës për takim të Kurtit?

“Të jemi bashkëpunues dhe të marrim pjesë në dialog. Është tepër e rëndësishme që në këtë fazë Kosovës t’i jepen institucione funksionale dhe mos të cenohet për asnjë çast funksionaliteti i shtetit tonë. Ne do të japim kontributin për aq sa është përgjegjësia jonë, por përgjegjësinë kryesore e bart partia më e madhe që ka numrin më të madh të deputetëve dhe pa të cilin nuk mund të zgjidhet presidenti. Nëse vullneti i tyre është që të ketë një zgjidhje, do të kemi; nëse jo, Kosovës i mbetet të shkojë drejt zgjedhjeve, për çka LDK-ja është e bashkuar dhe unike për zgjedhje”, shtoi ajo.

Të Ngjashme