Politik

LDK mes një “udhëkryqi”, zbërthehen “prapaskenat” për 31 janarin

 
   

Edhe pak ditë e ndajnë Lidhjen Demokratike të Kosovës nga kuvendi i saj.

31 janari është dita kur 355 delegatë do të vendosin rreth votëbesimit të Lumir Abdixhikut, kjo pas zgjedhjeve të fundit dhe rënies së partisë në përqindje.

Lumir Abdixhiku i cili mori drejtimin e partisë më vitin 2021, tani do të përballet me delegatët e partisë së tij.

Ai pas mbledhjes që u vendos për mbajtjen e Kuvendit zgjedhor deklaroi se ai me përgjegjësi përballet para anëtarësisë.

“Në LDK nuk i ikim asnjëherë përgjegjësisë. As kur është e lehtë, e sidomos kur është e vështirë. Sepse kjo shtëpi nuk është ndërtuar për rehati personale, por për shërbim dhe për përgjegjësi ndaj një ideali më të madh se secili prej nesh. Prandaj, me përgjegjësi përballemi; para anëtarësisë”, shkroi Abdixhiku.

Në anën tjetër, kandidatura për kryetar të ri të LDK-së kanë filluar. Abdullah Hoti, deputet i kësaj partie dhe ish- kryeministër për pak muaj, ka shpallur të dielën kandidaturën e tij.

Hoti ka njoftuar se do të kërkojë besimin e anëtarëve të LDK-së për të marrë drejtimin e partisë në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së të datës 31 janar 2026, pas dorëheqjes së kryetarit Lumir Abdixhiku.

“Pas dorëheqjes së Kryetarit Abdixhiku për shkak të rezultatit të fundit zgjedhor, ju njoftoj se në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së të datës 31 janar 2026 do të kërkoj besimin tuaj për t’i prirë Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka shkruar Hoti.

Hoti gjithashtu premtoi një lidership gjithëpërfshirës dhe të drejtë, duke u zotuar se me përgjegjësi të plotë do të marr barrën e ringritjes politike dhe organizative të partisë.

“Zotohem të udhëheq një proces tërësisht gjithëpërfshirës, transparent dhe në përputhje të plotë me Statutin, ku secili anëtar, çdo degë dhe çdo forum ka zë dhe rol aktiv në ringritjen e LDK-së dhe në vendimet që marrim si shtëpi politike e demokracisë. Zotohem se askush nuk do të mbetet në margjina. Se do të ndërtojmë një LDK të hapur, të drejtë dhe konkurruese. Një LDK ku avancimi bazohet në meritë, integritet dhe përkushtim ku profesionistët, gratë dhe të rinjtë e gjejnë hapësirën që u takon dhe ku energjia e re bashkohet me përvojën për ta kthyer LDK-në në alternativën kryesore qeverisëse të Republikës së Kosovës”, ka shkruar tutje Hoti.

Rreth pritjeve në kuvendin zgjedhor të LDK-së, kandidaturave, dorëheqjeve e befasirave, kanë folur për “Bota sot”, analistët politikë.

Nevoja për dorëheqje dhe hapat e nevojshme të kuvendit të LDK-së

Analisti Skënder Zogaj, thotë se mbetet i paparashikueshëm kuvendi i LDK-së.

 Image
 Skënder Zogaj 
 

Sipas tij, Abdixhiku do të duhej të merrte vendim për dorëheqjen e parevokueshme dhe thirrja e kuvendit në këtë formë është huqje serioze.

 “Skena politike e Kosovës ka degjeneruar plotësisht dhe ka kapërcyer vijën e kuqe të absurdit. Në këto rrethana, tash e tutje gjithçka është e mundshme. I paparashikueshëm mbetet edhe Kuvendi i LDK-së që do të mbahet më 31 janar, sepse, po të kishte qenë gjendja e shëndoshë dhe normale, kryetari Lumir Abdixhiku do ta kishte marrë vendimin për punën e vet ashtu siç e kërkon nderi dhe tradita morale e Partisë së Ibrahim Rugovës: duke dhënë dorëheqjen e parevokueshme dhe, para se ajo të miratohej, duke shpallur zgjedhje të reja të përgjithshme të brendshme, në mënyrë që të hapej rruga për dinjitet dhe konstituim të ndershëm të LDK-së. Kjo duhej të ishte bërë sepse dorëheqja është akt moral i padiskutueshëm, e jo çështje për diskutim në Kuvend. Thirrja e Kuvendit në këtë formë është huqje serioze që dëshmon nivelin e ulët politik të Kryesisë aktuale të LDK-së, e cila nuk shqetësohet realisht për Abdixhikun, por udhëhiqet nga lakmia e ujkut që ndjek dashin”, deklaron Zogaj.

Kandidaturat për kryetar të LDK-së, sipas Zogajt, do të duhej të vinin si propozime nga degët, të përcilleshin në kryesi dhe kuvend, të shoqëroheshin me arsyetime transparente dhe të fund të dilte propozimi për dy apo tre kandidatë për garën përfundimtare.

“Kuvendi i thirrur për 31 janar do të duhej ta kishte në rend dite rezultatin e zgjedhjeve dhe, pas arsyetimit nga kryesuesi, të dilte me propozimin për shpalljen e dorëheqjes kolektive të Kryesisë. Pas kësaj, do të duhej një marrëveshje xhentëlmenësh për vazhdimin e punës si “Kryesi në detyrë” deri në përfundimin e zgjedhjeve të reja të brendshme partiake. Kjo do të ishte mënyra më e drejtë dhe më e ndershme që i detyrohet LDK-së e gjithë Kryesia aktuale, e cila është bashkëfajtore, jo më pak se kryetari Abdixhiku; madje, në shumë aspekte, ajo mban përgjegjësi edhe më të madhe se ai. Kandidaturat e shpallura individualisht janë të kuptueshme në këtë situatë, ndonëse nuk janë mënyra më e mirë e mundshme. Kandidaturat do të duhej të vinin si propozime nga degët, të përcilleshin në Kryesi dhe Kuvend, të shoqëroheshin me arsyetime transparente dhe, në fund, të dilte propozimi për dy ose tre kandidatë për garën përfundimtare. Sa i përket kandidaturës së Avdullah Hotit, ajo nuk do të duhej të shndërrohej në shkak për ndarje të reja, sepse çdo ndarje e tillë do të nënkuptonte shuarje dhe gremisje. Pa dashur të paragjykoj, mendoj se Hoti është figurë e shquar dhe e merituar për LDK-në”, shton analisti.

Lidhja Demokratike e Kosovës në të dy palë zgjedhje të mbajtura në vitin 2028, nuk pati rezultat të kënaqshëm.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025,  fitoi 18.27 % dhe 20 ulëse, ndërsa në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 ka fituar 13.23 për qind të votave, që i sigurojnë asaj 15 vende në organin ligjvënës.

Kritika ndaj Abdixhikut e Hotit, LDK në krizë

 Image
 Gani Qarri 
 

Analisti Gani Qarri, thotë se edhe Abdixhiku edhe Hoti janë nxënës të dobët të Isa Mustafës.

“Vetëm brenda një viti, e dy palë zgjedhjeve të mbajtura më 2025, LDK, me Abdixhikun në krye humbi mbi 52 mijë vota dhe pesë vende në Parlament, duke e lëshuar LDK-në e dr. Ibrahim Rugovës nga partia e parë dhe më e madhe në vend, në njërën nga partitë më të vogla dhe segmentin e parafundit politik në Kosovë, që është njëri nga bilancet më tragjike të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në zgjedhjet parlamentare që nga paslufta në shtetin tonë. Si Abdixhiku ashtu edhe Avdullah Hoti janë nxënës të dobët të Isa Mustafës, të cilët nuk mund të jenë shpresë as zgjidhje, por pengesë dhe pengmarrës të LDK-së. Derisa Abdixhiku u katapultua nga jashtë partisë, në krye të LDK-së dhe solli partinë e dr. Ibrahim Rugovës nga parti e parë, në partinë e parafundit në vend, Avdullah Hoti ishte kandidat kundërkushtetues i nominuar për kryeministër në mënyrë të jashtëligjshme nga Isa Mustafa, duke krijuar i yshtur nga Hashim Thaçi e Isa Mustafa një qeveri-kukull dhe kundërkushtetuese, të cilin e pati rrëzuar nga posti, organi më i lartë i drejtësisë në vend – Gjykata Kushtetuese, ndaj njerëz të katapultuar dhe me të kaluar të tillë, të cilët kanë shkelur ligjin dhe Kushtetutën, nuk guxojnë të qëndrojnë as të vendosen më, në asnjë mënyrë, në krye të LDK-së. Isa Mustafa në vend se të vihej, menjëherë pas çlirimit para drejtësisë për pjesëmarrjen e tij në qeverinë okupuese të Millosheviqit dhe votimin e vendimeve të okupatorit serb, për heqjen e autonomisë së Kosovës, rrezikimin e jetës së qytetarëve e pasurive të tyre, si dhe rrëzimin e rendit konstiutiv të Kosovës, ai pikërisht në Kosovën e lirë mori kreun e LDK-së dhe la pasardhësit e vet në krye të saj, duke katapultuar Lumir Abdixhikun pa qenë asnjëherë as anëtar i thjeshtë i saj, në krye të LDK-së, ndërsa Avdullah Hotin në kryeministër të kundërligjshëm dhe anëtar të kryesisë së partisë”, thotë Qarri për “Bota sot”.

LDK nuk guxon të mbahet peng e parashutistëve thotë Qarri, gjersa Abdixhiku e Hoti sipas tij, nuk janë kandidatë të duhur.

“Gjendja në të cilën ka rrëshqitur LDK, dëshmon se kjo parti nuk guxon më, të mbahet peng i parashutistëve të katapultuar në krye të saj dhe duhet marrë mësim nga votimet e 28 dhjetorit, pasi që mbështetja për LDK-në brenda dhe jashtë vendit ka rënë në minimumin e skajshëm, thellimi i të cilit mund ta rrezikojë edhe ekzistencialisht këtë parti. Duke qenë se dinjiteti njerëzor dhe përgjegjësia politike janë shumë të rëndësishme për një segment serioz politik dhe udhëheqjen me sukses të një partie, Abdixhiku e Avdullah Hoti nuk kanë dëshmuar se; njëra as tjetra, janë veti të tyre, kështu që nëse Kuvendi dhe anëtarësia vërtetë duan përfundimin e kaosit brenda LDK-së dhe rritjen e mbështetjes për LDK-në, urgjentisht duhet ta shkarkojnë Abdixhikun dhe kryesinë aktuale, për çlirimin nga pengmarrja dhe ecjen përpara të LDK-së. Është plotësisht e qartë për të gjithë se Abdixhiku as Avdullah Hoti nuk janë kandidatët e duhur, që të dy këta, si nxënës të dështuar të Isa Mustafës e kanë futur LDK-në në vetizolim, dhe privuar jo vetëm nga pushteti, por edhe nga mbështetja e qytetarëve duke minimizuar edhe mundësinë për të luajtur një rol më të madh udhëheqës në politikën e vendit dhe pjesëmarrjen në institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës dhe kthyer LDK-në nga partia dikur më e madhe dhe partia e parë në vend, në partinë gati më të vogël dhe të parafundit në ranglistën e mbështetjes me votat e qytetarëve. Abdixhiku dhe Avdullah Hoti, janë vazhdimësia e agonisë, dhe jo ndryshimi, perspektiva as shpresa e të ardhmes së LDK-së, të cilët si pasardhës të Isa Mustafës në vend se të ndërtonin struktura demokratike e institucione prosperuese partiake dhe zgjidhnin udhëheqësit me votën e lirë e me një kulturë demokratike, ata ndërtuan sisteme korruptive dhe futën në fuqi metodat e pazareve, duke përdorur nepotizmin dhe vendosur njerëzit në pozita udhëheqëse me patentën e katapultimit, formula më tragjike që solli rënien drastike të LDK-së, në mbështetjen e elektoratit, siç kemi edhe shembullin më të dhembshëm të rrëshqitjes me rënie të lirë, nga ish parti e parë, në partinë e parafundit në zgjedhjet e 28 dhjetorit”, pohon analisti.

Qarri sheh ende shpresë për LDK-në, gjersa kërkon që të shtunën kuvendi i saj të mos lejojë të thellohet kriza.

“Prandaj ata që ia duan të mirën LDK-së dhe dëshirojnë rikuperimin politik, duhet ta çlirojnë këtë parti nga parashutistët dhe nxjerrin urgjentisht nga përdorimi metodën e katapultimit të udhëheqësve në krye të saj, të mos e pranojnë pazarin si metodë “zgjidhjeje” as servilizmin si dinjitet, por ti luftojnë të gjitha dukuritë negative brenda LDK-së, duke rivendosur rendin e rregullin dhe llogaridhënien e kërkimin e përgjegjësisë nga secili, për rikthimin e shpresës, optimizmit e të dinjitetit dhe krijimin e mundësive për një të ardhme më premtuese që mund dhe duhet të ndërtohet brenda partisë, me qëllim të rimarrjes së fuqisë së dikurshme dhe avancimin e LDK-së në parti institucionale dhe shtet ndërtuese. Gjendja në të cilën është katandisur LDK lidhet drejtpërsëdrejti me emrat e individëve të katapultuar në krye të saj, të cilët si antagonist e pasardhës të Isa Mustafës nga mungesa e përvojës politike, kanë futur edhe koncepte të gabuara në udhëheqjen e partisë, ndërsa me veprimet hibride të tyre, vazhdon edhe rënia e LDK-së në skenën politike, si dhe tkurrja e mbështetjes nga elektorati i saj, deri në përmasat e luftës për mbijetesë politike dhe tejkalimin e pragut zgjedhor. Kështu që të shtunën Kuvendi i LDK-së, nuk duhet të lejojë të thellohet kriza edhe më tepër, por të organizojë një proces të hapur e demokratik dhe të zhvillojë një debati sa më konstruktiv, në mënyrë që të sanohen problemet e grumbulluara dhe të vendoset me vullnetin e pjesëmarrësve pa ndikime grupore as diktime individuale, me votën e lirë të atyre që kanë të drejtën e votimit për vendimmarrje, ashtu siç veprohej tradicionalisht në këtë parti, me metoda të njohura demokratike, duke respektuar vullnetin e anëtarësisë dhe sjellë vendime bazuar në vullnetin e lirë, si mënyra e vetme, për të dalë nga kriza aktuale që dikur ishin avangardë e LDK-së”, përfundon Qarri.

 
 
 
 

 

Të Ngjashme