Politik

LDK në “udhëkryq”: Hoti sfidon Abdixhikun – Kuvendi para vendimit të madh për fatin e kryetarit

 
   

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vendosur që më 31 janar të mbajë Kuvendin e saj, në të cilin pritet të merret vendim lidhur me ofrimin e dorëheqjes së kryetarit Lumir Abdixhiku.

Vendimi për thirrjen e Kuvendit vjen pas zhvillimeve të fundit brenda partisë dhe debatit të brendshëm mbi drejtimin politik dhe organizativ të LDK-së.

Kuvendi i 31 janarit konsiderohet vendimtar për të ardhmen e lidershipit të LDK-së, ndërsa pritet që vendimet që do të merren të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në riorganizimin dhe pozicionimin e partisë në skenën politike.

Vlen të theksohet se ende pa u kuptuar nëse dorëheqja e Abdixhikut do të miratohet nga Kuvendi i partisë apo jo,  ish-kryeministri Avdullah Hoti të dielën shpalli kandidaturën e tij për kryetar të LDK-së.

Latifi: Për fat të keq kryetari i gjertanishëm z.Lumir Abdixhiku nuk është treguar unifikues i LDK-së

 Image
 Haki Latifi 
 

Analisti Haki Latifi, në një përgjigje për “Bota sot”, ka theksuar se gjendja aktuale e LDK-së kërkon unitet dhe maturi, por jo duke anashkaluar problemet reale që, sipas tij, janë krijuar nga strukturat udhëheqëse. Ai ka vlerësuar se reflektimi dhe përgjegjësia janë parakushte për unitet të qëndrueshëm.

Latifi ka kritikuar kryetarin aktual Lumir Abdixhiku, duke thënë se ai nuk është treguar unifikues i partisë dhe se, në demokracitë funksionale, humbjet e përsëritura zakonisht pasohet nga dorëheqja si akt përgjegjësie morale dhe politike.

“Mendoj se gjendja aktuale në të cilën gjendet LDK, kërkon unitet dhe maturi, veçanërisht për veprimtarët që i kanë dhënë shumë për LDK-në. Por uniteti i vërtetë nuk ndërtohet duke anashkaluar realitetin dhe problemet reale që na kanë sjellë strukturat udhëheqëse të LDK-së. Reflektimi i sinqertë dhe përgjegjësia janë kusht për unitet të qëndrueshëm, jo pengesë për të.

Për fat të keq kryetari i gjertanishëm z.Lumir Abdixhiku nuk është treguar unifikues i LDK-së. Në çdo demokraci funksionale, e në çdo garë humbja edhe mund të jetë pjesë, e nëse ajo përsëritet në vazhdimësi pasohet nga dorëheqja si akt përgjegjësie, integriteti e morali janë të domosdoshme” – shprehet.

Tutje, Latifi ka thënë se dorëheqja e Lumir Abdixhikut ishte një hap i duhur dhe korrekt pas humbjes së LDK-së. Ai shton se strukturat e partisë duhej të emëronin një drejtues të përkohshëm deri në zgjedhjen e udhëheqësve të rinj nga Kuvendi.

Sipas tij, çdo devijim nga Statuti dhe rregullat demokratike është i papranueshëm dhe se LDK-së i duhet një rikthim i vërtetë përmes zgjedhjeve partiake të hapura dhe demokratike, duke përfshirë të gjitha moshat, gjinitë dhe figurat meritore për të ndërtuar një parti të bashkuar dhe të fortë.

 “Dorëheqja e z. Abdixhiku tani ka ndodhur dhe mendoj se ishte hapi i parë dhe shumë korrekt në respektimin e standardit lidhur me humben e LDK-së.

Në kushte normale u desh strukturat e partisë ta zgjedhin drejtuesin e përkohshëm deri sa kuvendi ti zgjedh strukturat e reja, përfshi edhe Kryetarin.

Çdo veprim tjetër është shkelje e Statutit, parimeve demokratike dhe ikje nga përgjegjësia.

Demokracia nuk i duron mospërfilljet e rregullave demokratike e Statutit të partisë, as imponimet e improvizimet.

LDK i duhet Kosovës e fortë dhe e bashkuar.

Nuk ka rrugë tjetër, pos sërish nga fillimi – zgjedhje partiake të vërteta, demokratike me votë të fshehtë, nga nëndega deri te Këshilli i Përgjithshëm dhe, te Kryesia qendrore me figurat meritore të të gjitha moshave, gjinive, rangjeve intelektuale dhe rugovistëve klasik, sepse Kosova ende nuk është cikël i përfunduar shtetëror!”, thotë ai për “Bota sot”.

Koci: Statuti i LDK-së kërkon dorëheqje pas rezultatit të dobët zgjedhor

 Image
 Milazim Koci 
 

Edhe analisti Melzaim Koci, thotë se votëbesimi për kryetarin e LDK nuk mjafton për të dalë nga kriza pas disfatës së 28 dhjetorit.

Ai thotë se LDK ka humbur identitetin dhe votat e brezit të ri, të cilat i ka marrë Vetëvendosja. Partia është e fragmentarizuar që nga Kuvendi i 2006, dhe pa një reformë të thellë rrezikon përçarje dhe margjinalizim.

 “Votëbesimi për kryetarin e LDK nuk do të jetë e i mjaftueshëm për daljen nga kriza të kësaj partie që pësoj katandisje në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Votëbesimi është përpjekje jo vetëm e z. Abdixhiku për të shmangur përgjegjësinë, bashkë me anëtarët tjerë të kryesisë së kësaj partie. Për rimëkëmbje eventuale LDK-së i duhet proces i plotë zgjedhor nga baza deri në kryesi. LDK tash e sa vite është parti pa identitet, sepse nga radhët e saj janë larguar “garda e vjetër”, ndërsa sjellja e kuadrove të reja ka synuar të siguroj votën e brezit të ri. Për fatin e keq të LDK, votën e brezit të ri e ka marrë Vetëvendosja dhe ky është problemi me të cilin sot ballafaqohet kjo parti.

LDK sot është e fragmentarizuar brenda dhe kjo u pa pas zgjedhjeve të shkurtit të 2025. Ky fragmentarizim i brendshëm është i hetueshëm nga viti 2006, nga koha e “Kuvendit të karrigeve”. Nga ajo kohë LDK nuk arriti të jetësoj unitet të brendshëm. Ky sindrom është i pranishëm edhe sot dhe është një nga shkaktarët e krizës së tyre”, thotë ai.

Ai paralajmëron se pa zgjedhje të brendshme dhe reformë të thellë, LDK rrezikon margjinalizim. Humbja e votave dhe besimit të elektoratit e bën partinë të cenueshme ndaj përçarjeve të reja.

 “Nëse LDK do të shmangë zgjedhjet e brendshme në të gjitha nivelet dhe nëse nuk do të ketë reformim të thellë, ajo rrezikon margjinalizim në skenën politike të Kosovës. LDK fillimisht duhet të adresoj përgjegjësinë për disfatën e 28 dhjetorit. Pa këtë adresim, rreziku i përçarjes bëhet edhe më i madh. Përgjegjësia nuk është vetëm e Lumir Abdixhikut, por edhe e atyre që janë afër tij. Rënia nga 1% në 13% dëshmon se votuesi e identifikoi LDK si fajtore për bllokadën e vitit të kaluar. Humbja e 50 deri 60 mijë votave ose 30% e tyre është sinjal se kjo parti ka filluar të humbasë më të madhe besimin e elektoratit. Ruajtja e status quos përmes Kuvendit do të jetë e rrezikshme, sepse gjasat e plasjes së re brenda LDK-së janë reale. Kjo parti një çarje të re nuk mund ta përballoj. Ajo do ta margjinalizonte përfundimisht”, deklaron ai.

Në fund, Koci thotë se Kuvendi duhet të shërbejë për reformë të thellë, por mungesa e dorëheqjeve lë vend për lojra politike dhe rrezikon një çarje të re brenda LDK-së.

“Kuvendi do të duhej të ishte një mundësi për fillimin e një reforme të thellë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Por, fakti që nuk ka dorëheqje të pa revokueshme, lë hapësirë për të dyshuar se kemi të bëjmë me taktizim dhe lojëra afatshkurtra për të konservuar pozicionet aktuale.

Statuti i LDK-së është i qartë dhe kërkon dorëheqje pas rezultatit të dobët zgjedhor dhe këtë standard e ka vendos kryetari Abdixhiku.

Në Kuvendin e LDK do të shohim dy rrjedha – njëra që do të tentoj të ruaj status quo-n dhe tjetra që do të kërkoj lidership të ri.

Kjo mund të dërgoj LDK drejt një çarje të re që kësaj radhe do të ishte fatale” – përmbyll ai për gazetën.

 
 
 
 

 

Të Ngjashme