Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

LDK pa disa nga “fytyrat” e vjetra në Kuvend: Pse u ndëshkuan? Flet njohësi i zhvillimeve në vend

 
   

Ismet Beqiri, Driton Selmanaj, Rrezarta Krasniqi e Valentina Bunjaku, kanë qenë disa nga emrat e zëshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvend, por të cilët në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk kishin arritur të fitojnë vota për t’u bërë deputet.

E këtyre emrave tashmë do t’iu bashkangjiten edhe deputetët të cilët kanë qenë në legjislaturën e kaluar por e cila ka zgjatur fare pak.

Arben Gashi, Paris Guri e Alban Zogaj, janë disa nga emrat që tashmë nuk kanë arritur të sigurojnë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Arben Gashi ka fituar 15. 860 vota, Paris Guri 15.391 vota, kurse Alban Zogaj 8.407 vota.

A i “ndëshkoi” elektoriati këta deputetë për performancën e tyre apo për linjën politike të partisë?

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Mirsad Voca, thotë se problemi kryesor nuk qëndron te figurat në vetvete, por te perceptimi se LDK-ja për një kohë të gjatë ka vuajtur nga mungesa e një orientimi të qartë dhe të dallueshëm politik.

Sipas tij, rrugëtimi i LDK-së duhet të vazhdojë, por jo në mënyrë formale apo nostalgjike.

 Image
 Mirsad Voca 
 

“Humbja e ulëseve nga disa figura të njohura të LDK-së në legjislaturën e fundit nuk duhet lexuar thjesht si ndëshkim individual i deputetëve, por më shumë si reflektim i një pakënaqësie më te gjerë ndaj orientimit politik të partisë. Elektorati rrallë voton në mënyrë të fragmentuar mbi performancën personale dhe zakonisht vota është mesazh politik për drejtimin, qartësinë dhe koherencën e partisë si tërësi.

Në këtë kuptim, problemi kryesor nuk qëndron te figurat në vetvete, por te perceptimi se LDK-ja, për një kohë të gjatë, ka vuajtur nga mungesa e një orientimi të qartë dhe të dallueshëm politik. Kjo ka krijuar konfuzion te votuesit dhe ka dobësuar lidhjen tradicionale të partisë me bazën e saj elektorale.

Për hir të asaj që ka qenë LDK-ja me Ibrahim Rugovën në krye, rrugëtimi i saj duhet të vazhdojë, por jo në mënyrë formale apo nostalgjike”, deklaron Voca.

Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka shënuar rënie në krahasim me zgjedhjet e 9 shkurtit ku kishte fituar 18.27 për qind të votave, ndërsa më 28 dhjetor 13.59 për qind.

Voca thotë se ringritja e LDK-së mund të ndodhë vetëm përmes rikthimit te parimet mbi të cilat është ndërtuar.

Ai rendit mënyrat si mund të ringritet.

“Ringritja e LDK-së mund të ndodhë vetëm përmes rikthimit te parimet mbi të cilat është ndërtuar. Këto përfshijnë, së pari, legjitimitetin moral dhe durimin strategjik, përmes të cilave Rugova e ndërtoi kauzën e Kosovës mbi të drejtën, qetësinë dhe kohën si aleate politike. Së dyti, vendosjen e shtetit mbi pushtetin, duke e trajtuar politikën si shërbim dhe institucionet si themel të qëndrueshëm, jo si instrumente të dominimit partiak. Dhe së treti, orientimin e pakthyeshëm perëndimor dhe unitetin institucional, ku Perëndimi kuptohej si model vlerash dhe uniteti kombëtar ndërtohej përmes institucioneve dhe rregullave demokratike, jo përmes përjashtimit politik.

LDK-ja ka nevojë për figura të reja, por jo thjesht për arsye gjeneracionale. Ajo ka nevojë për figura që mishërojnë këtë frymë autentike dhe që janë të afta ta përkthejnë trashëgiminë politike të Rugovës në kontekstin e sotëm: forcimin e institucioneve, mbrojtjen e identitetit shqiptar dhe kombëtar, si dhe ndërtimin e një raporti të sinqertë e afatgjatë me qytetarët”, shton Voca.

Tutje, ai shton se vetëm ashtu LDK mund të rifitojë edhe rolin e saj historik.

“Nëse ky rikthim te vetja ndodh, LDK-ja jo vetëm që mund të zëvendësojë figurat e humbura, por mund të rifitojë edhe rolin e saj historik si forcë stabilizuese dhe shtetformuese në Kosovë”, përfundon njohësi i zhvillimeve në vend.

Sipas rezultateteve të përmbledhura nga KQZ, LVV-ja ka arritur në 51.01%, me 57 ulëse në kuvend.

Partia e dytë më e votuar është Partia Demokratike e Kosovës me 20.24 për qind, me 22 ulëse, pastaj Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.26 për qind, duke siguruar 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.50 për qind të votave, me 6 ulëse në kuvend.