
Shkyçjen e qindra bizneseve nga rrjeti i furnizimit me energji elektrike nga KEDS e ka quajtur persekutim Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Në konferencë për media, nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami tha se sot përfundimisht po merr fund politika shkatërruese e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Ajo tha se shkyçja e dhunshme e kompanive nga rrjeti i furnizimit me energji elektrike është persekutim dhe politikë që shkon vetëm në favor të mafisë energjetike në vend.
Bajrami i bëri thirrje Prokurorisë Speciale që të merret sa më parë me institucione saç janë Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe të tjera që kjo politikë sipas saj të mos kalojë dhe asessi të mos mbetet e pa ndëshkuar.
“Sot shkyçja e dhunshme e kompanive nga rrjeti i furnizimit me energji elektrike është persekutim, është politikë që shkon vetëm në favor të mafisë energjetike në vend. Ne sot prej këtu i bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale që të merret sa më parë me institucione siç janë Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe të tjera që kjo politikë të mos kalojë dhe assesi të mos mbetet e pa ndëshkuar. Qytetarët e këtij vendi duhet ta dinë se po paguajnë për mafinë energjetike”, tha Bajrami.
Ndërkaq, anëtarja e kryesisë të LDK-së në Ferizaj, njëkohësisht eksperte e energjisë, Janina Ymeri tha se për të gjitha ato biznese që sot po u shkëputet energjia elektrike për transport po shpenzohen çerek milioni në ditë.
Yneri tha se janë kërkuar kontratat për shitblerje të energjisë elektrike porse nuk kanë marrë përgjigje.