Disa anëtarë të Kongresit amerikan i kanë bërë thirrje përmes një letre sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, që të mos lejohet një reduktim i mundshëm i trupave amerikane në Kosovë. Sipas tyre, një vendim i tillë mund të rrezikojë stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në një kohë kur ndikimet keqdashëse dhe tensionet politike në rajon mbeten të pranishme.
Në letrën e dërguar më 11 mars, ligjvënësit amerikanë kanë shprehur “shqetësim të thellë” për raportimet se administrata e presidentit Donald Trump mund të shqyrtojë mundësinë e tërheqjes së një pjese të forcave amerikane nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR.
Sipas tyre, në një periudhë të brishtë politike dhe me rritjen e ndikimeve destabilizuese në rajon, një reduktim i parakohshëm i pranisë amerikane mund të ketë pasoja serioze për stabilitetin e Kosovës dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Bosnjë dhe Hercegovinën. Për këtë arsye, ata i kanë bërë thirrje Departamentit të Shtetit që të ruhet niveli aktual i pranisë ushtarake amerikane në kuadër të KFOR-it.
Kjo letër vjen pas raportimeve të publikuara më 19 shkurt nga gazeta amerikane Politico, e cila, duke cituar diplomatë të NATO-s, shkruante se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë nga aleatët që të rishikojnë disa nga angazhimet e jashtme të aleancës, përfshirë edhe misionin në Kosovë.
Megjithatë, Pentagoni në një përgjigje për REL kishte deklaruar se aktualisht nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për ndryshim të dislokimit të forcave amerikane.
Aktualisht, rreth 590 ushtarë amerikanë janë të vendosur në Kosovë si pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR. Ky mision mbetet një nga shtyllat kryesore të sigurisë në vend, krahas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX. Përveç rolit të përgjithshëm në ruajtjen e sigurisë, KFOR-i ka përgjegjësi edhe për monitorimin e situatës së sigurisë në vijën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dy vende që vazhdojnë të kenë marrëdhënie të tensionuara.
Në këtë kontekst lindin disa pyetje kyçe: si duhet të interpretohet kjo letër e kongresmenëve amerikanë? A ekziston realisht mundësia e tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova apo bëhet fjalë më shumë për raportime dhe spekulime mediatike? Dhe mbi të gjitha, sa e rëndësishme është prania e trupave të NATO-s në Kosovë dhe çfarë ndikimi do të kishte një tërheqje eventuale në stabilitetin dhe sigurinë e vendit?
Hoxha: Letra e një grupi kongresmenësh dhe senatorësh amerikanë drejtuar Sekretarit të Shtetit, duhet parë me kujdes dhe pa panik
Së pari, për këtë temë për “Bota sot” foli ish-ushtaraku, Hafir Hoxha, i cili u shpreh se, letra e kongresmenëve duhet parë me kujdes dhe pa panik.
Sipas tij, veprime të tilla, pra tërheqje të trupave amerikanë nga Kosova nuk mund të ndodhin, duke parë edhe situatën gjeopolitike.
“Letra e një grupi kongresmenësh dhe senatorësh amerikanë drejtuar Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, ku shprehet shqetësimi për mundësinë e reduktimit të trupave amerikane në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë – KFOR, duhet parë me kujdes dhe pa panik. Mendoj se veprime të tilla e të shpejta, siç morën amerikanët në Afganistan, nuk mund të ndodhin edhe në Kosovë, pasi pozita dhe e tërë situata gjeopolitike e Kosovës, Serbisë dhe Ballkanit dallojnë nga ajo në Afganistan”.

Hafir Hoxha
Gjithashtu, Hoxha, potencoi se letra në fjalë është sinjal që, Kosova endë ka vëmendjen e politikës amerikane, si dhe tha se, NATO nuk ka interes të largohet nga shteti ynë.
“Së pari, kjo letër nuk është paralajmërim për largimin e NATO-s nga Kosova. Përkundrazi, ajo tregon se brenda politikës amerikane ekziston një vetëdije e fortë për rëndësinë strategjike që ka prania e trupave të NATO-s në Kosovë për stabilitetin e gjithë Ballkanit Perëndimor.
Së dyti, duhet kuptuar se KFOR është mision i NATO-s dhe jo vetëm i SHBA-ve. Edhe në rast të ndonjë rishikimi të pranisë amerikane, NATO nuk ka interes të largohet nga Kosova, sepse kjo do të krijonte një vakum sigurie në një rajon ende të ndjeshëm”, shtjelloi ish-ushtaraku.
Më tej, ai foli edhe për rëndësinë dhe rolin e NATO-s në Kosovë, derisa tha se është garanca kyçe për sigurinë dhe stabilitetin tonë.
Për këtë, Hoxha u shpreh optimist se NATO nuk do t’i tërheq trupat e saj nga Kosova, derisa të forcohet FSK-ja.
“Prania e NATO-s në Kosovë është një nga faktorët kryesorë që garanton paqen, stabilitetin dhe pengon çdo aventurë destabilizuese në rajon. Ajo është gjithashtu një garanci e rëndësishme për sigurinë e qytetarëve dhe për forcimin gradual të institucioneve të sigurisë së Kosovës.
Prandaj besoj se amerikanët nuk do të tërhiqen nga Kosova pa e përfunduar problemin definitivisht me Serbinë, ku ajo duhet të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE-së dhe të mos paraqesë rrezik për vendet e rajonit. Po ashtu nuk besoj se forcat e NATO-s do të largohen nga Kosova derisa nuk rriten dhe aftësohen Forcat e Sigurisë së Kosovës në atë nivel që të bëhen pjesë e NATO-s dhe do të jenë të afta ta mbrojnë dhe ta sigurojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, kuptohet në bashkëpunim me forcat e NATO-s”.
Ndër të tjera, ish-ushtaraku shtoi se, “…më shumë sesa arsye për shqetësim, kjo letër duhet parë si një kujtesë se stabiliteti i Kosovës mbetet një interes strategjik për shumë qarqe politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova duhet të vazhdojë të punojë për forcimin e institucioneve të saj të sigurisë, për koordinim të ngushtë me aleatët dhe për ruajtjen e partneritetit strategjik me SHBA-të dhe NATO-n, dhe sa më parë të bëhet pjesë e forcave të NATO-s”
Berisha: Prania e KFOR-it duhet të vazhdojë të mbetet një faktor kyç për stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë
Ndërsa, eksperti i sigurisë, Fidair Berisha u shpreh se, trupat e KFOR-it janë garancia kryesore për stabilitetin dhe sovranitetin e Kosovës.
“Prania e KFOR-it në Kosovë mbetet garancia kryesore e sigurisë. Misioni i KFOR-it jo vetëm që siguron një mjedis të qetë dhe të sigurt, por vepron edhe si faktor parandalues ndaj çdo përshkallëzimi të mundshëm të tensioneve etnike apo politike. Veçanërisht, prezenca e trupave amerikane ka një peshë të veçantë politike, pasi konsiderohet garancia kryesore për stabilitetin dhe sovranitetin e Kosovës”, deklaroi ai.

Fidair Berisha
Krahas kësaj, Berisha në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” potencoi që në rrethanat aktuale, as nuk mund të mendohet largimi i trupave të NATO-s nga Kosova.
Ai theksoi që vendime të tilla merren vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe në koordinim me të gjitha shtetet anëtare të NATO-s.
Për këtë, ai përmendi edhe faktin se si shtetet, kanë filluar të armatosen gjithnjë e më shumë dhe të fokusohen në përgatitjen e konflikteve të ndryshme.
“Sa i përket mundësisë së largimit të trupave të NATO-s, aktualisht nuk ka diçka konkrete për një tërheqje të plotë të KFOR-it nga Kosova. Mendoj se, në rrethanat në të cilat gjendet Kosova, nuk do të imagjinohej tërheqja e trupave paqeruajtëse, veçanërisht duke marrë për bazë gjendjen e brishtë të sigurisë në disa shtete të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Kosovën. Vendime të tilla për largimin e KFOR-it nga Kosova mund të ndodhin vetëm në raste të jashtëzakonshme, si për shembull nëse konfliktet do të përhapeshin në një masë të madhe. Për më tepër, çdo ndryshim i tillë do të ndodhte vetëm përmes koordinimit të gjerë brenda shteteve të NATO-s, prandaj një tërheqje e tillë, për momentin, nuk duket e mundshme.
Jemi dëshmitarë se kohëve të fundit shtetet, në përgjithësi, po armatosen gjithnjë e më shumë. Ky fakt tregon se qëllimi i shteteve mund të jetë ose armatosja për mbrojtje, ose për të qenë të përgatitura për konflikte të mundshme me shtete të tjera. Shteti i Kosovës gjithashtu po ndjek këtë logjikë me qëllim mbrojtës. Duhet theksuar se arkitektura e sigurisë në Kosovë sot është më e konsoliduar se në të kaluarën, me institucione vendore të sigurisë më të zhvilluara. Megjithatë, përkundër këtij zhvillimi, prania e NATO-s mbetet e domosdoshme për një siguri më stabile”, nënvizoi ai.
Më tej, eksperti komentoi edhe letrën e kongresmenëve amerikanë, e që tha se ky është sinjal që Kosova është ende në vëmendje të institucioneve amerikane.
Sipas tij, kjo tregon edhe një fakt tjetër, se shteti ynë ende konsiderohet një zonë ku prania ndërkombëtare ka rol kyç në siguri dhe stablitet të tij.
“Ndërsa letra e një grupi kongresmenësh dhe senatorësh amerikanë drejtuar Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, tregon qartë se brenda institucioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ekziston një vëmendje e vazhdueshme për stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Shqetësimi i tyre lidhet me raportimet se administrata e Donald Trump mund të shqyrtojë mundësinë e reduktimit të pranisë së trupave amerikane në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.
Vetë fakti që ligjvënësit amerikanë reagojnë ndaj mundësisë së reduktimit të trupave tregon se Kosova ende konsiderohet një zonë ku prania ndërkombëtare ka rol kyç në parandalimin e përshkallëzimit të një situate të brishtë të sigurisë.
Një tërheqje e plotë e KFOR-it do të mund të çonte drejt rritjes së tensioneve dhe potencialisht edhe drejt konflikteve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Andaj, prania e KFOR-it duhet të vazhdojë të mbetet një faktor kyç për stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë dhe në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, përmbylli Fidair Berisha për “Bota sot”.
