Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënime maksimale ndaj ndaj Thaçit dhe të tjerëve, duke e cilësuar këtë si një akt politik dhe jo si kërkim të drejtësisë.
Lëvizja Vetëvendosje, përmes këtij reagimi synon të përcjellë mesazhin se kërkesa e Prokurorisë Speciale për dënime maksimale ndaj ndaj Thaçit dhe të tjerëve nuk përfaqëson drejtësi, por një qasje politike që, sipas saj, deformon të vërtetën historike të luftës në Kosovë. LVV thekson se Serbia e regjimit të Millosheviqit ishte agresori gjenocidal, ndërsa UÇK-ja ishte forcë çlirimtare që u ngrit për mbrojtjen e popullit të shtypur, përcjell “Bota sot”.
Sipas LVV-së, procesi gjyqësor nuk po trajton individë të shkëputur nga rrethanat, por po tenton të gjykojë vetë aktin e çlirimit, duke e zhvendosur fokusin nga krimet e shtetit serb te rezistenca shqiptare. Kjo, sipas reagimit, krijon një barazi të rreme mes agresorit dhe viktimës dhe e paraqet luftën çlirimtare si ndërmarrje kriminale.
LVV argumenton se krimet kundër njerëzimit, sipas standardeve të drejtësisë ndërkombëtare, lidhen me aparate shtetërore, planifikim sistematik dhe politika shfarosëse, gjëra që, sipas saj, UÇK-ja nuk i ka pasur kurrë. Për këtë arsye, krahasimi i drejtuesve të UÇK-së me figura të regjimeve gjenocidale historike konsiderohet i pabazë dhe politikisht i motivuar.
Në fund, Lëvizja Vetëvendosje rithekson qëndrimin e saj se kjo gjykatë është produkt i presioneve dhe interesave ndërkombëtare dhe se drejtësia selektive nuk sjell pajtim, por padrejtësi të reja. Mesazhi kryesor i LVV-së është i qartë: çlirimi nuk është krim, rezistenca nuk kriminalizohet dhe historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet përmes aktakuzave që, sipas saj, i shërbejnë narrativës së agresorit.
Postimi i plotë
Kërkesa e prokurorisë për dënime maksimale ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk është një akt për kërkim drejtësie por një politikë që synon ta përmbysë rendin e së vërtetës.
Jugosllavia e Serbisë së Millosheviqit ka kryer gjenocid në Kosovë. Kjo është e vërteta. UÇK ka luftuar kundër planeve dhe veprimeve gjenocidale duke mbrojtur popullin me gjithë forcën në dispozicion.
Kërkesa e Prokurorisë Speciale për dënime prej 45 vjetësh për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është një kërkesë neutrale drejtësie, por një ndërhyrje politike në regjistrin e kujtesës dhe të historisë. Këtu nuk po gjykohen individë të shkëputur nga konteksti, por po tentohet të gjykohet vetë akti i çlirimit. Ky është një proces që e zhvendos vëmendjen nga agresori te viktima dhe e paraqet rezistencën ndaj okupimit si krim, ndërsa okupimin si sfond të heshtur.
Pretendimi se “shënjestrimi” paskësh qenë produkt i një fushëveprimi të gjerë të komanduar nga drejtues të UÇK-së është një operacion diskursiv që synon ta zëvendësojë kontekstin politik të luftës me një skemë penale abstrakte: hierarki, urdhër, përgjegjësi. Kjo logjikë e shkëput dhunën nga okupimi dhe e trajton rezistencën si projekt kriminal të organizuar, duke e zhvendosur konfliktin nga raporti real agresor–i shtypur në një narrativë teknike të fajit individual. Duke pretenduar se dënon “persona konkretë”, Prokuroria në fakt synon ta dënojë kuptimin kolektiv të çlirimit, ta depolitizojë luftën dhe ta shndërrojë emancipimin liridashës në krim të përhershëm që “nuk vjetrohet kurrë”. Kjo është përpjekje për ta ngrirë historinë në një aktakuzë, ku krimet e një shteti gjenocidal pushtues relativizohen, ndërsa rezistenca e të përjashtuarve e të shtypurve kriminalizohet si kërcënim ndaj regjimit e rendit që kanë prodhuar dhunën.
Nuk ka se si të ketë pasur plane individuale për krime kundër njerëzimit, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka pasur kurrë, në asnjë rrethanë, plane të tilla. Krimet kundër njerëzimit nuk janë veprime të izoluara, por kërkojnë aparat zbatues ose strukturë shtetërore dhe mekanizma sistematikë dhune. Asnjë njësi e UÇK-së nuk ka pasur ndonjëherë si synim, dhe as nuk ka vepruar, sipas një metode të tillë monstruoze.
Krimet kundër njerëzimit, siç i njeh e drejta penale ndërkombëtare, nuk janë akte të rastësishme apo devijime individuale, por forma ekstreme të dhunës së organizuar: shfarosje, vrasje masive, deportime, skllavëri, torturë, përdhunim, persekutim dhe zhdukje me forcë, të kryera si pjesë e një sulmi të përhapur ose sistematik kundër popullatës civile. Historia e drejtësisë ndërkombëtare nga Nurembergu te tribunali për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën, e deri te Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe juridiksioni universal i gjykatave kombëtare, ka ndëshkuar pikërisht aparate shtetërore të krimit dhe udhëheqje politike e ushtarake që e kishin shndërruar dhunën shfarosëse në politikë zyrtare. Ky standard tregon qartë se krimet kundër njerëzimit lidhen me pushtet, sistem dhe planifikim, jo me luftëra çlirimtare, dhe se përgjegjësia penale, megjithëse individuale dhe pa afat parashkrimi, presupozon ekzistencën e një makinerie shtypëse që Ushtria Çlirimtare e Kosovës kurrë nuk e ka pasur.
Andaj formulimi dhe kërkesa për dënim për krime kundër njerëzimit ka si referencë Gjyqet ku janë dënuar figura të nivelit më të lartë politik dhe ushtarak si Hermann Göring dhe udhëheqës të tjerë nazistë, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq për krimet në Bosnje e Hercegovinë, Jean Kambanda dhe Jean-Paul Akayesu për gjenocidin në Ruandë, Nuon Chea dhe Khieu Samphan për krimet e Khmerëve të Kuq në Kamboxhia, Dominic Ongwen dhe Ali Kushayb për krimet në Afrikë, si dhe dhjetëra ish-diktatorë, gjeneralë dhe zyrtarë shtetërorë të dënuar në Argjentinë, Gjermani, Francë e vende të tjera, duke konsoliduar parimin se krimet kundër njerëzimit janë krime pa afat parashkrimi dhe se përgjegjësia penale ndërkombëtare është individuale, pavarësisht pozitës apo funksionit shtetëror të autorëve.
Kush nga pjesëtarët e drejtuesit e UÇK-së i ngjan të përshkruarve më lart? Asnjëri dhe askush. Serbia ishte pushtuesja, ushtruesja e dhunës shtetërore, e apartheidit dhe e gjenocidit. Populli shqiptar ishte subjekti mbi të cilin u ushtrua kjo dhunë. Ky është fakti politik e historik themelor, pa të cilin çdo procedurë juridike shndërrohet në farsë. Gjykata Speciale, duke u marrë ekskluzivisht me luftën çlirimtare dhe jo me aparatin shtetëror serb të krimit, e përmbys këtë raport dhe prodhon një barazi të rreme mes atij që shtyp dhe atij që çlirohet.
Pretendimi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë ndërmarrje kriminale është jo vetëm i pavërtetë, por edhe një tentativë për ta zhveshur nga historia luftën çlirimtare dhe për ta reduktuar atë në çështje penale individuale. UÇK-ja ishte shprehje kolektive e një populli të përjashtuar nga rendi politik, që u ngrit për të fituar të drejtën elementare për ekzistencë, liri dhe barazi. Kriminalizimi i kësaj përpjekjeje është kriminalizim i vetë emancipimit.
Kjo gjykatë nuk erdhi nga një nevojë e brendshme për drejtësi, por nga një projekt ndërkombëtar i ndërtuar mbi raporte politike, presione diplomatike dhe interesa gjeopolitike, ku Rusia, Serbia dhe aleatët e saj kanë pasur rol aktiv. Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka kundërshtuar këtë proces që nga fillimi e madje edhe para fillimit, sepse drejtësia nuk mund të jetë selektive, njëetnike dhe e ndërtuar mbi shtrembërimin e historisë. Një drejtësi e tillë nuk shëron plagë, por i thellon ato.
Lëvizja VETËVENDOSJE! qëndron e qartë dhe pa ekuivoke: çlirimi nuk është krim, rezistenca nuk është ndërmarrje kriminale dhe historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet nga aktakuza që i shërbejnë narrativës së agresorit. Drejtësia e vërtetë fillon aty ku emërtohet saktë pushteti i dhunës gjenocidale dhe njihet legjitimiteti i luftës për liri. Pa këtë, çdo vendim është vetëm një formë tjetër e padrejtësisë.
Lëvizja VETËVENDOSJE!
9 shkurt 2026