Një ngjarje e rëndë kriminale është regjistruar pasditen e së martës në aksin rrugor Lezhë-Rrilë, ku një 35-vjeçar është bërë pre e një sulmi brutal.
Rreth orës 17:40, pranë vendit të njohur si “Kryqëzimi i Rrilës”, në afërsi të një pike karburanti, shtetasi me iniciale P.P. është sulmuar nga disa persona ende të paidentifikuar.
Sipas dëshmive të para dhe rindërtimit të skenës nga policia, 35-vjeçari po udhëtonte me automjetin e tij kur i është prerë rruga. Autorët e kanë nxjerrë atë me forcë nga makina dhe më pas e kanë goditur barbarisht me mjete të forta në trup dhe në kokë.
I plagosuri është transportuar fillimisht me urgjencë në Spitalin Rajonal të Lezhës për ndihmën e parë. Megjithatë, për shkak të dëmtimeve të shumta dhe gjendjes së rënduar, mjekët kanë vendosur transferimin e tij të menjëhershëm drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar.
Burime nga policia bëjnë me dije për RTSH 24 se, paraprakisht, i riu ndodhet jashtë rrezikut për jetën, pavarësisht plagëve të marra.
Policia e Lezhës ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur krehjen e zonës.
“Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve,” thuhet në njoftimin zyrtar të bluve./rtsh.al/

