Lajme

Licencat e furnizuesve privatë jashtë agjendës së ZRRE-së, KEK-u prioritet

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), në agjendën e parë të publikuar për mbledhjen me Bordin e ri, përkatësisht seancën e dhjetë për 2026, nuk ka përfshirë furnizuesit privatë të energjisë elektrike, licencat e të cilëve kanë skaduar gjatë muajit shtator, ndërsa ka përfshirë aplikacionet e KEK për prodhimin e energjisë elektrike nga TC Kosova A dhe TC Kosova B.

Sipas agjendës së publikuar, seanca është paraparë të mbahet më 9 tetor 2026, nga ora 14:00. Përveç shqyrtimit të aplikacioneve të KEK-ut, në rendin e ditës janë përfshirë edhe kërkesa të shumta për autorizime për vetë-konsum nga biznese dhe persona fizikë.

Megjithatë, në këtë agjendë nuk figurojnë pika për shqyrtimin e licencave të furnizuesve privatë që kanë skaduar.

Kp ka drejtuar pyetje ZRRE-së lidhur me arsyet pse aplikacionet e KEK-ut janë përfshirë në agjendën e Bordit, ndërsa aplikacionet e prodhuesve privatë me licenca të skaduar nuk figurojnë në të njëjtën agjendë.

Po ashtu, redaksia ka kërkuar të dijë se sa ndërmarrje private kanë licenca të skaduar ose aplikacione për vazhdimin e tyre në pritje të shqyrtimit, si dhe nëse për KEK-un dhe prodhuesit privatë zbatohen të njëjtat standarde ligjore dhe procedurale, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Të Ngjashme