Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Liderët botërorë nënshkruajnë dokumentet e “Bordit të Paqes “ për Gazën

Ceremonia e nënshkrimit të Bordit të Paqes për Gazën u mbajt të enjten në Davos, ku presidenti amerikan Donald Trump doli në skenë mes një njoftimi që u uronte mirëseardhjen anëtarëve themelues të këtij organi të ri.

Gjatë fjalës së tij, Trump e përshkroi ngjarjen si një moment të rëndësishëm, duke e quajtur atë një “ditë shumë emocionuese, të përgatitur prej kohësh”.

Ai pretendoi se “të gjithë” duan të jenë pjesë e Bordit të tij të Paqes dhe theksoi se interesi ndërkombëtar për këtë iniciativë është shumë i madh.

Presidenti amerikan deklaroi se do të vazhdojë të “punojë me shumë të tjerë, përfshirë Kombet e Bashkuara”, pavarësisht kritikave të tij të mëparshme ndaj këtij institucioni.

Ai përsëriti gjithashtu pretendimin se ka zgjidhur tetë luftëra që nga ardhja e tij në detyrë, duke përmendur luftën Kosovë- Serbi në mesin e tyre.

E pranishme në ceremoni ishte edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e cila nënshkroi dokumentin e anëtarsimit në Bord.

Trump i riktheu vërejtjet e tij Bordit të Paqes, duke thënë se ai ka potencialin të jetë “një nga organet më të rëndësishme të krijuara ndonjëherë” dhe shtoi se është “i nderuar” që mban rolin e kryetarit.

“Po ecën shumë mirë… pothuajse çdo vend dëshiron të jetë pjesë e saj”, deklaroi ai.

Sipas Trump, sapo Bordi i Paqes të formohet plotësisht, “ne mund të bëjmë pothuajse çfarë të duam”, duke nënvizuar se do të punojë në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara.

Ai theksoi se, pavarësisht kritikave të përsëritura ndaj OKB-së, ky institucion ka “potencial të jashtëzakonshëm”.

Në përfundim, Trump tha se kombinimi i përpjekjeve të Bordit të Paqes dhe OKB-së përfaqëson “diçka shumë, shumë unike për botën” dhe e përshkroi atë si “hapi i parë drejt një dite më të ndritshme për Lindjen e Mesme”.