Aktuale

Ligji hyn sot në fuqi/ Kosova ofron leje qëndrimi 12 muaj për serbët, u njeh kartat e identitetit qytetarëve

Duke filluar nga sot, Kosova do t’u ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe të njohë letërnjoftimet e individëve të komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente kosovare.

Vendimi i qeverisë së Kosovës erdhi pasi një pjesë e serbëve në veri të vendit nuk janë pajisur me letrat kosovare sipas përcaktimit në ligjin për të huaj dhe atë për automjetet, që hyn në fuqi ditën e sotme.

Ishte kryeministri Albin Kurti që dh njoftimin dje pas një takimi në Prishtinë me të dërguarin e Posaçëm të BE për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen. Ligji pajis me leje qëndrimi të gjithë ata që nuk kanë dokumentet e posaçëm, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të qarkullojnë në Kosovë më shumë se tre muaj pa autorizim.Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se ndryshimet në Ligjin për të Huajt në Kosovë janë pritur me “lehtësim” nga serbët, si dhe evropianët me të cilët ai thotë se ka folur në orët e fundit. Vuçiç, njoftoi gjithashtu qëllimin e tij për të udhëtuar në kufirin me Kosovën brenda shtatë deri në dhjetë ditësh.

“Edhe pse nuk ka zgjidhje të lehta ose të thjeshta, me interpretime të ndryshme dhe të gjitha të tjerat, për ta është megjithatë një lehtësim”, tha ai.

Në konferencën për media me Sorensenin dhe shefin e zyrës së BE-së në Prishtinë, Aivo Orav, Kurti tha se qeveria do të vazhdojë punën për shkrirjen e plotë të sistemit arsimor e shëndetësor serb në sistemin unik të Kosovës.

E njëjta vlen edhe për studentët serbë që qëndrojnë në Kosovë për studime, për të cilët krerët komunalë do të ofrojnë listën e tyre me hollësi.

Të Ngjashme