
Organet e sigurisë dhe drejtësisë duhet t’i parandalojnë etiketimet, linçimet publike, akuzat e rënda dhe pa fakte ndaj që po ndodhin në rrjetet sociale, pasi është cenim direkt i sigurisë fizike në të ardhmen.
Kështu po vlerësohet publikimi i një liste me mbi 800 emra të personave të ndryshëm dhe dymbëdhjetë mediave në Facebook, të cilët etiketohen si anti-shqiptarë dhe bashkëpunëtor të BIA-së serbe.
Një profil me emrin “Levizja Antiislamofobie”, duket që nuk ndalet së shkruari e etiketuari persona të ndryshëm, duke i quajtur si bashkëpunëtor të BIA-së e anti-shqiptarë, por edhe etiketime tjera.
Në listën e publikuar nga ky profil ku janë publikuar emrat e mbi 800 personave, shkruhet se “Shpërndani dhe mbani mend këta emra të këtyre spiuneve të rrezikshëm anti shqiptare.
Emrat e spiuneve Buduqnost që bashkëpunojnë me BIA-në serbe”, derisa iu është bashkuar edhe kjo fotografi ku shkruan “Serbski Buduqnost-(E ardhmja serbe) edhe unë jam Deçan”, madje shihet edhe flamuri serb.
Megjithatë, në postim nuk ofrohet asnjë provë konkrete për vërtetësinë e pretendimeve. Ndërkohë, mbetet e paqartë se kush qëndron pas faqes, pasi identiteti i administratorëve nuk është bërë publik.
E gjithë kjo po konsiderohet si cenim i sigurisë për shkak të nxitjes së urrejtjes. Media ka pyetur Policinë e Kosovës nëse është iniciuar rast lidhur me këtë çështje, por nuk ka pasur përgjigje.
Ndërkohë, sipas burimeve të KosovaPress-it, janë disa persona që kanë emrin në këtë listë, të cilët tanimë kanë bërë ankesat e tyre në Policinë e Kosovës.
Disa prej të përmendurve në listë kanë reaguar duke e mohuar kategorikisht çdo lidhje me akuzat. Njëri prej të akuzuarve, Blerim Latifi ka thënë, se nuk është hera e parë që diçka e tillë ndodh.
“Më vjen keq por nuk humbas kohë të komentojë kotësira të tilla të plehut Vahabist. Nuk është hera e parë e as e fundit”-u deklarua Blerim Latifi.
Sekretari i organizatës “Shqiptaria”, Basri Beka, njëkohësisht pjesë e kësaj liste u shpreh se kushdo që gjendet pas publikimit të saj, mundohet thjeshtë të linçojë personalitete të ndryshme publike.
Beka: Opinionet e mia po pengojnë agjendën e tyre
“Opinionet e mia në debate, në emisione televizive, me siguri e kanë penguar agjendën e tyre dhe mua më kanë futur në një listë të cilën mendoj se organet e ndjekjes duhet të merren me këtë listë, të shohin se kush janë ata njerëz sepse ato linçime publike, ato tentime e etiketime të personaliteteve të ndryshme publike janë thjeshtë fashizëm dhe cenim direkt i sigurisë fizike në të ardhmen e tyre edhe pse unë besoj thellësisht se ajo nuk mund të ndodh në një shoqëri demokratike dhe të strukturuar mirë por organet e drejtësisë duhet të parandalojnë këtë fenomen të linçimit të njerëzve.”, tha ai.
Ai po ashtu theksoi se beson se arsyeja kryesore e publikimit të kësaj liste është frikësimi dhe delegjitimimi i personave që janë të përfshirë në të.
Beka: Ky vend nuk mund t’i nënshtrohet fanatikëve fetarë
“Ky është qëllimi i tyre, frikësimi i njerëzve. Të gjithë atyre që mendojnë ndryshe, të gjithë ata që nuk pranojnë rregulla shoqërore dhe rregulla fetare por pranojnë rregulla demokratike. Fundi i fundit, vendi ynë nuk mund të jetë një vend që i nënshtrohet fanatikëve fetarë, edhe atyre që e fyejnë dhe përjashtojnë kombin. Ky vend do të jetë në vazhdimësi i qytetarëve të lirë sepse për këtë është fituar liria.”, tha Beka.
Ai u shpreh se beson që pas publikimit të listës qëndrojnë ekstremistë radikal fetarë, derisa nënvizoi rëndësinë që organet e rendit të hetojnë mbi autorin e listës dhe kjo lloj përpjekje për linçim duhet të ndëshkohet.
Media ka tentuar të kontaktojë edhe me persona të tjerë që janë pjesë e listës por nuk janë përgjigjur.