Lajme

Listat miratohen pa Listën Serbe: Çfarë pason dhe cilët janë skenarët e mundshëm?

 
   

Të shtunën janë shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor.

Listat e kandidatëve të të gjitha partive janë miratuar nga anëtarët e KQZ-së, përveç asaj të Listës Serbe. Tre anëtarë kanë votuar për, dy kundër dhe anëtarët tjerë kishin abstenuar.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se palët kanë të drejtë ankese ndaj rezultatit për 48 orë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Ndaj mos miratimit të listave, ka reaguar Lista serbe, e cila këtë vendim e quajti të turpshëm.

Igor Simiq, zyrtar nga Lista Serbe ka thënë se vendimi i së shtunës vë në dukje “se regjimi i kryeministrit në detyrë Albin Kurti po përpiqet t’i pengojë anëtarët e komunitetit serb t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre”.

Ai ka shtuar Lista Serbe do ta apelojë këtë vendim “të paligjshëm dhe anti-serb”.

“Me këtë vendim, Kurti dëshiron t’i anulojë 42.759 vota të serbëve të rritur që donin të tregonin qartë se kë duan në institucione dhe kë e konsiderojnë të denjë për të luftuar për të drejtat e tyre dhe për t’i përfaqësuar ata brenda institucioneve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka humbur epitetin e një institucioni të pavarur”, ka thënë Simiq në një prononcim për media.

Ai është shprehur i bindur se vëzhguesit e zgjedhjeve do të reagojnë ndaj asaj që ai e quajti shkelje të të drejtave të popullit serb dhe kërcënim për procesin zgjedhor.

Kjo nuk është hera e parë që Lista serbe has në ‘vështirësi’ për certifikim dhe miratim, anëtarët e KQZ-së edhe para zgjedhjeve nuk kishin miratuar listën për deputetë të kësaj partie, por pas ankesës në PZAP ajo ishte certifikuar.

Nevoja për vend ligjor e demokratik

Avokati Gazmend Halilaj, thotë se veprimi i KQZ-së duhet parë si një përpjekje për të vendosur standarde ligjore dhe demokratike dhe jo si akt arbitrar apo politik.

 Image
 Avokati Gazmend Halilaj 
 

Sipas tij, anëtarët nga Lëvizja Vetëvendosje që votuan kundër certifikimit të listës së saj kanë vepruar në përputhje me parimin se pjesëmarrja në zgjedhje nuk mund të jetë formale, nëse subjekti refuzojnë kushtetueshmërinë e Kosovës.

“Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos miratuar listën e kandidatëve të Listës Serbe, ndonëse nuk mori shumicë të plotë votash, përfaqëson një moment të rëndësishëm në përballjen e institucioneve të Kosovës me një problem të vjetër: pjesëmarrjen në proceset demokratike të subjekteve politike që në praktikë e sfidojnë rendin kushtetues të shtetit. Ky veprim i KQZ-së duhet parë si një përpjekje për të vendosur standarde ligjore dhe demokratike, e jo si një akt arbitrar apo politik. Dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje që votuan kundër certifikimit të Listës Serbe kanë vepruar në përputhje me parimin se pjesëmarrja në zgjedhje nuk mund të jetë formale, nëse subjekti në fjalë refuzon të respektojë kushtetutshmërinë e Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve të saj”, deklaron Halilaj.

Sipas tij, nëse përsëritet skenari i njëjtë ku vendimet e KQZ-së rrëzohen atëherë dëshmohet se sistemi aktual ligjor nuk u jep institucioneve zgjedhore mjetet e mjaftueshme për të mbrojtur rendin kushtetues nga keqpërdorimi politik

“Megjithatë, përvoja nga proceset e kaluara na bën skeptikë se ky vendim do të qëndrojë deri në fund. Në disa raste të mëhershme, vendimet e KQZ-së janë rrëzuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), e më pas edhe nga Gjykata Supreme, shpesh duke u thirrur në interpretime të ngushta procedurale dhe jo në thelbin e problemit. Nëse përsëritet i njëjti skenar, kjo do të dëshmonte edhe një herë se sistemi aktual ligjor nuk u jep institucioneve zgjedhore mjetet e mjaftueshme për të mbrojtur rendin kushtetues nga keqpërdorimi politik. Pikërisht për këtë arsye, çështja e Listës Serbe nuk mund dhe nuk duhet të mbetet vetëm në nivelin e KQZ-së apo të gjykatave në prag zgjedhjesh”, shprehet avokati.

Ai thotë se Kuvendi i Kosovës duhet të adresojë qartë statusin e subjekteve politike që veprojnë nën ndikimin e një shtetit tjetër.

Sipas tij, shpallja e një subjekti politik si jolegal apo antikushtetues nuk duhet të bëhet me lehtësi, por as të shmanget për arsye politike.

“Kjo është një çështje politike dhe kushtetuese që kërkon zgjidhje afatgjatë. Kuvendi i Kosovës dhe institucionet përkatëse duhet të adresojnë qartë statusin e subjekteve politike që veprojnë nën ndikim të drejtpërdrejtë të një shteti tjetër dhe që, përmes deklaratave apo veprimeve, e mohojnë shtetësinë e Kosovës. Shpallja e një subjekti politik si jolegal apo antikushtetues nuk duhet të bëhet me lehtësi, por as të shmanget për arsye politike. Një kornizë e qartë ligjore do të shmangte kriza të përsëritura zgjedhore dhe do t’i jepte fund situatave ku institucionet detyrohen të marrin vendime nën presion të brendshëm dhe ndërkombëtar. Në këtë kontekst, qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje mbetet i konsistent: demokracia nuk mund të mbrohet duke toleruar subjekte që e përdorin atë për ta minuar shtetin nga brenda. Sundimi i ligjit, sovraniteti dhe barazia para Kushtetutës duhet të jenë parime të panegociueshme për të gjithë”, përfundon Halilaj.

Ndaj vendimit për mos miratimin e listës së kandidatëve për deputetë të Listës serbe, ka reaguar edhe ambasada amerikane në Prishtinë.

“Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos miratuar listën e kandidatëve për deputetë të Listës Serbe është “në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre”.

“Çdo përpjekje për të shkelur këtë parim bazë minon partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Rreziku për zgjedhje të reja

Kurse, analisti Nexhat Haziri, konsideron se kjo është skenar patriotizmi.

 Image
 Nexhat Haziri 
 

Sipas tij, KQZ nuk është institucioni ku vlerësohet dhe hetohet veprimtaria e një partie politike.

“Një veprim i tillë është për keqardhje dhe nuk do të kalon pa u vërejtur dhe shënuar nga faktori ndërkombëtar e që do të lë gjurmë në proceset e integrimit dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata dhe institucione ndërkombëtare, siç është edhe këshilli i Evropës ku kemi aplikuar për anëtarësim. Veprime të tilla të LVV-së janë vazhdimësi e skenarit të tyre, të një patriotizmi jo të nevojshëm, duke mos llogaritur dëmet që po ia shkakton vendit, siç është vonesa e krijimit të institucioneve të reja, në veçanti zgjedhjen e presidentit apo presidentes së vendit, kur afatet kushtetuese po afrohen dhe në rast të dështimit, vendi rrezikohet sërish të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Duhet kuptuar dhe sqaruar edhe për opinionin se KQZ-ja nuk është institucioni ku vlerësohet dhe hetohet veprimtaria e një partie politike, por janë institucionet e tjera të hetuesisë dhe sigurisë që duhet ta bënin punën e tyre”, shprehet Haziri.

Sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 51.10 për qind të votave, apo 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, 20.19 për qind të votave apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës, 13.24 për qind të votave apo 15 ulëse, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 5.50 për qind të votave apo gjashtë ulëse.

Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe dhe një ulëse, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

 
 
 
 

 

Të Ngjashme