Lajme

LIVE: Konjufca në KS të OKB-së:Serbia ta njohë Kosovën, mos ta mbajë peng rajonin; shefi i UNMIK-ut kërkon takim të nivelit të lartë Kurti-Vuçiq

09.04.2026 – 17:07

Konjufca në KS të OKB-së:Serbia ta njohë Kosovën, mos ta mbajë peng rajonin

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i bëri thirrje Serbisë që të pranojë realitetin dhe ta njohë Kosovën si shtet.

Konjufca, tutje në fjalimin e tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka deklaruar se “Republika e Kosovës vazhdon të zhvillohet si një demokraci stabile, me institucione funksionale dhe progres të qëndrueshëm demokratik”, duke shtuar se vendi ka ndërtuar një polici profesionale dhe forca të besueshme të sigurisë.

Ai theksoi se “Kosova ka dëshmuar reziliencë ndaj krizave të jashtme dhe globale”, ndërsa vuri në dukje se janë mbajtur zgjedhje të lira dhe demokratike, që sipas tij kanë forcuar institucionet dhe stabilitetin politik.

“Qeveria e sapoformuar do të vazhdojë me reforma të thella për ta bërë vendin më të sigurt dhe më të integruar në arenën ndërkombëtare”, tha Konjufca.

Duke folur për raportet me Serbinë, ai deklaroi se “sfidë kryesore mbetet mungesa e gatishmërisë së Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve”, duke shtuar se “Serbia vazhdon të pengojë stabilitetin dhe integrimin e rajonit”.

Ai theksoi se është e domosdoshme që Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Konjufca tha gjithashtu se “Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes, dialogut dhe integrimit të të gjitha komuniteteve”, duke nënvizuar hapa konkretë për integrimin e komuniteteve në veri dhe ofrimin e shërbimeve të barabarta për të gjithë qytetarët.

Ai ngriti shqetësimin për, siç u shpreh, përpjekjet për minimin e rendit institucional, duke theksuar se “roli i NATO-s mbetet i domosdoshëm”. Po ashtu, kërkoi vëmendje për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ku tha se vazhdojnë sfida serioze.

Sa i përket njohjeve ndërkombëtare, Konjufca u shpreh se “jemi mirënjohës ndaj të gjitha 121 shteteve që kanë njohur zyrtarisht pavarësinë e Republikës së Kosovës”, duke u bërë thirrje shteteve të tjera që ta njohin atë pa vonesë.

Në lidhje me Dhomat e Specializuara, ai tha se “ato nuk burojnë nga Rezoluta 1244 dhe nuk i përkasin mandatit të UNMIK-ut”, duke shtuar se janë krijuar mbi bazë kushtetuese dhe në bashkëpunim me Bashkimin Evropian.

Në fund, Konjufca rikonfirmoi se “Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”, duke synuar një rajon më të sigurt dhe më të integruar në strukturat euroatlantike.

09.04.2026 – 17:02

UNMIK kërkon takim të nivelit të lartë Kurti-Vuçiq në një të ardhme të afërt

Shefi i UNMIK-ut, Peter Due, ka marrë fjalën i pari në seancën për Kosovën në Kombet e Bashkuara.

Ai ka folur për procesin e dialogut, nevojën për implementimin e Marrëveshjeve të Dialogut, përfshirë Asociacionin dhe për mundësinë e një takimi të nivelit të lartë në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksander Vucic.

“Progresi është i mundur. Beogradi e Prishtina duhet të vazhdojnë momentumin, duke vazhduar implementimin e marrëveshjeve, përfshirë Asociacionin. Shpresoj që një takim i nivelit të lartë Kurti-Vuçiq të mbahet në të ardhmen e afërt”, ka deklaruar ai.

Drejtpërdrejt nga New Yorku, në Mbledhjen e 10132-të Këshillit të Sigurimit në OKB, ku po diskutohet për Kosovën.

09.04.2026 – 17:01

OKB: Stabilitet dhe progres në Kosovë, por vonesa në zgjedhjen e Presidentit shqetëson

Nga: H.O.

Në raportimin e tij të parë në Këshilli i Sigurimit i OKB-së për Kosovën që nga marrja e detyrës, Peter Due paraqiti një përditësim mbi zhvillimet e fundit në vend, duke theksuar progresin institucional, por edhe sfidat që mbeten.

Ai vlerësoi se zgjedhjet legjislative të mbajtura në dhjetor, të cilat i cilësoi si paqësore dhe gjithëpërfshirëse, si dhe konstituimi i shpejtë i Kuvendit dhe formimi në kohë i qeverisë, dëshmojnë për një trajektore stabiliteti dhe progresi në Kosovë. Megjithatë, sipas tij, procesi i zgjedhjes së Presidentit ende nuk ka përfunduar.

“Le të shpresojmë që dallimet të kapërcehen, të zgjidhet një President i ri dhe të shmangen zgjedhjet e reja legjislative. Kjo do të ndihmonte që institucionet të mbeten të përqendruara në interesin e përgjithshëm publik dhe në nevojat e qytetarëve,” tha Due.

Ai po ashtu lavdëroi pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve në zgjedhjet komunale të mbajtura në tetor dhe nëntor, si dhe krijimin në kohë të administratave lokale në të gjithë vendin. Duke u ndalur te veriu i Kosovës, Due theksoi se rikthimi i kryetarëve të komunave me shumicë serbe përbën një hap të rëndësishëm drejt ri-angazhimit institucional, ndonëse procesi, siç tha ai, nuk ka qenë pa sfida.

“Në takimet e mia të fundit me disa prej këtyre kryetarëve, dëgjova shqetësime lidhur me dorëzimet e pjesshme, boshllëqet administrative dhe barrierat gjuhësore,” u shpreh ai, duke shtuar se mirëpret përpjekjet për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve qendrore dhe udhëheqësve lokalë në veri.

Sa i përket dialogut, Due përshëndeti progresin e arritur në procesin e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, duke përfshirë edhe përparimin në zbatimin e Ligjit për të Huajt. Ai theksoi se është thelbësore që të dyja palët ta shfrytëzojnë momentin për të avancuar zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.

“Është e rëndësishme që Beogradi dhe Prishtina ta shfrytëzojnë këtë moment… Shpresoj që një takim i nivelit të lartë ndërmjet Presidentit Aleksandar Vuçić dhe Kryeministrit Albin Kurti të zhvillohet në një të ardhme të afërt,” deklaroi ai, duke përmendur edhe nevojën për përparim në krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Due përsëriti gjithashtu thirrjen për bashkëpunim të plotë nga autoritetet në Beograd dhe Prishtinë, me qëllim që përgjegjësit për sulmin në Banjskë në vitin 2023 dhe atë në Ibër-Lepenc në vitin 2024 të vihen para drejtësisë.

Në raportin e tij, ai ngriti edhe çështjen e lirisë së mediave, duke theksuar se gazetarët duhet të ushtrojnë profesionin e tyre pa presione. Sipas tij, çdo sulm ndaj tyre duhet të hetohet dhe të ndiqet penalisht pa vonesë.

Po ashtu, ai vuri në dukje shqetësimet e komuniteteve jo-shumicë për barazinë, qasjen në drejtësi dhe shërbime, lirinë e shprehjes dhe të drejtat pronësore. Në këtë drejtim, ai theksoi rëndësinë e zbatimit të ligjeve për gjuhët dhe emërimit të një Komisioneri për Gjuhët, si hapa kyç për përfshirje dhe garantimin e të drejtave për të gjitha komunitetet.

Në përfundim, Due nënvizoi se ndërtimi i besimit mbetet prioritet për UNMIK, pavarësisht kufizimeve financiare.

“Përmes angazhimeve të tij, Misioni synon të avancojë pjesëmarrjen kuptimplotë të grave dhe të rinjve në proceset politike… ku dëgjohen të gjithë zërat dhe ku çdo komunitet e sheh veten të përfshirë në rrugën përpara,” përfundoi ai.

Të Ngjashme