Kurti në RTK, shpalos programin e LVV-së
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, në një intervistë në Radio Televizionin e Kosovës tha se gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme, ndonëse më e shkurtër, patën takime e tubime në gjithë Kosovën. Ai shtoi se qytetarët tashmë janë të informuar për programet dhe, siç tha, kur të drejtohen nesër tek kutitë e votimit, nuk do të kenë dilema.
Kurti theksoi se qytetarët do të vendosin për siguri dhe begati.
“Siguria nënkupton sundimin e ligjit, rendin publik, mbrojtjen e kufijve, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial, por gjithashtu përfshin sigurinë e ujit dhe energjisë. Në anën tjetër, begatia lidhet me mirëqenien, ku rritja ekonomike duhet të shpërndahet në mënyrë të drejtë. Sepse kuptimi i një ekonomie që rritet është që përfituesit të jenë gjithë qytetarët dhe jo një grup apo shtresë e caktuar. Pra, siguria është, në njërën anë, kushti dhe garancia për begatinë, sepse duhet të sigurojmë që begatia të jetë e qëndrueshme, dhe nga ana tjetër, begatia është dobia dhe kuptimi që rrjedh nga siguria”, deklaroi ai.

