Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se Qeveria do të themelojë Këshillin Shtetëror për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa në mbledhjen e rregullt të ekzekutivit do të shqyrtohen edhe disa projektligje dhe iniciativa me rëndësi për vendin.
Në fjalën e tij hyrëse para zëvendëskryeministrave, ministrave, zëvendësministrave dhe përfaqësuesve të mediave, Kurti rikujtoi se këtë javë u mbajt mbledhja solemne për 18-vjetorin e Pavarësisë, duke theksuar lidhjen historike mes 5, 6 dhe 7 Marsit – Epopesë së UÇK-së – dhe 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë. Ai vlerësoi sakrificën e familjes Jashari dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si themel të shtetit.
Në rend dite, sipas tij, është edhe projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Qasje në Arsimin e Lartë dhe Pranim për Studime në Ballkanin Perëndimor, që buron nga Procesi i Berlinit. Marrëveshja synon lehtësimin e qasjes dhe pranimit të studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë në gjashtë vendet e rajonit, përmes heqjes së pengesave administrative dhe afrimit të standardeve akademike.
Po ashtu, Qeveria pritet të votojë agjendën legjislative për vitet në vijim, ku përfshihen edhe Projektligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Projektligji i ri për Çmimet tavan.
Në mbledhje do të vendoset edhe për themelimin e dy ndërmarrjeve të reja publike lokale: “Fushë Kosova” Sh.A në Komunën e Fushë Kosovës dhe “EKO Drenasi” Sh.A, e cila do të ofrojë mirëmbajtjen e hapësirave dhe ndërtesave publike.
Adresimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,
Të nderuar punonjës të kryeministrisë dhe të medieve,
Të dashur qytetarë,
Mirë se takohemi në mbledhjen e rregullt të Qeverisë. Të martën patëm mbledhjen solemne për 18-vjetorin e Pavarësisë. Sot, në pikën e parë të rendit të ditës, kemi themelimin e Këshillit Shtetëror për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shkurti është muaj feste shtetërore dhe krenarie qytetare, marsi është muaj lavdie historike dhe nderimi i sakrificës. Në kalendar vjetor shkurti vjen para marsit, por në kalendarin e historisë sonë, para shkurtit ishte marsi. E pa 5, 6 dhe 7 Marsin, nuk bëhej 17 Shkurti, pa flijimin e familjes Jashari, nuk bëhej festa shtetërore e Republikës, pa luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për liri, nuk bëhej parakalimi i ushtrisë sonë në liri.
Në mbledhje sot për miratimin tonë pret projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Qasje në Arsimin e Lartë dhe Pranim për Studime në Ballkanin Perëndimor, që buron nga Procesi i Berlinit. Përmes saj, pas ratifikimit në Kuvend dhe kur të fillon zbatimi, lehtësohet qasja dhe pranimi i studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë, sepse hiqen pengesat administrative dhe afrohen standardet akademike ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Po ashtu, do ta vendosim për votim agjendën legjislative për vitet në vijim. Aty ndër të tjera, përfshihen Projektligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Projektligji i ri për Çmimet tavan: të dy zotime tona, të dy nevoja të vendit dhe qytetarëve, të cilat përmbushen dhe plotësohen shumë shpejt.
Në rend të ditës kemi edhe themelimin e dy ndërmarrjeve të reja publike lokale: “Fushë Kosova” Sh.A, e para në Komunën e Fushë Kosovës, dhe “EKO Drenasi” Sh.A, që do të ofrojë mirëmbajtjen e hapësirave dhe ndërtesave publike.
