Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të disa prej kundërshtarëve të tij politikë, të cilët, sipas tij, po përdorin mjete të papranueshme për të ndalur përkrahjen e qytetarëve ndaj fushatës së tij “Për Drenasin Kampion”.
Lladrovci është shprehur i habitur me disa nga ish-bashkëpunëtorët e tij politikë, duke i akuzuar se po e braktisin parimin dhe qëllimin e përbashkët të dikurshëm për interesa të ngushta.
Madje, Lladrovci kritikoi “krerët” e Partisë Demokratike të Kosovës, për të cilët kishte një mesazh.
“Ndalni joshjet, presionet dhe shantazhet ndaj qytetarëve dhe kandidatëve për Kuvendin e Drenasit, sepse edhe më poshtë po bini. Jeni lehtas të lexueshëm.
“Dada Razë” nuk po ju bën punë, as hapja e thesit të premtimeve boshe nuk do t’ju ndihmojë”, shkroi ndër të tjera Lladrovci, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
“Dada Razë” nuk po bën punë as thesi i premtimeve boshe nuk ju ndihmon
Jam i habitur me disa nga miqtë e mi, me shokët që deri dje kishim një synim dhe një qëllim të përbashkët partiak e politik, të cilët nuk po zgjedhin mjete për ta frenuar ortekun e fitores “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”.
Është për keqardhje niveli ku kanë rënë “krerët” aktualë të partisë shtetformuese e shtetndërtuese, të themeluar nga heronjtë tanë të luftës dhe paqes. Kot i keni përpjekjet për ta bërë “Dadën Razë” faktor politik në Drenasin krenar, Drenasin e nderit, të sakrificës dhe përkushtimit atdhetar.
Ndalni joshjet, presionet dhe shantazhet ndaj qytetarëve dhe kandidatëve për Kuvendin e Drenasit, sepse edhe më poshtë po bini. Jeni lehtas të lexueshëm. “Dada Razë” nuk po ju bën punë, as hapja e thesit të premtimeve boshe nuk do t’ju ndihmojë.
Qytetarët kampion, Lista e kandidatëve kampion, kanë shtëpinë e vet, numrin 101 “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”. Vazhdojmë +4!

