Ramiz Lladrovci ka reaguar pasi Prokurori i Specializuar, ka përmendur emrin e heroit Fehmi Lladrovci në kontekstin e hierarkisë dhe urdhrave gjatë luftës çlirimtare.
Ai tha se hedhin poshtë farëdo përfshirje të emrit të heroit Fehmi Lladrovci në Gjykatën e Hagës.
Postimi i tij i plotë:
Hedhim poshtë çfarëdo përfshirje të emrit të heroit Fehmi Lladrovci në Gjykatën e Hagës. Feha, Xheva dhe bashkëluftëtarët e tyre, ishin dhe mbesin çlirimtarë, heronj të Kosovës!
Gjatë fjalës përfundimtare të Prokurorit të Specializuar në Hagë, kundër heronjve tanë të luftës dhe paqes, është lakuar emri i Heroit Fehmi Lladrovci. Emri është vënë në kontekst se kinse në atë kohë kishte hierarki ushtarake dhe jepte “urdhra”. Këto pretendime fuqishëm i hedhim poshtë.Në dokumentin konfidencial, Raport zyrtar (UNMIK/OKB), në raportin e oficerit (emër i njohur për neve), thuhet se “në banesën e H.Ç., më 08.05.2001, ndër sendet e sekuestruara janë gjetur dokumente që implikojnë një urdhër nga oficeri i UÇK-së Fehmi Lladrovci, i dhënë një ushtari të ri, K.K., më 10.04.1998, për të kryer ekzekutimin e H.Sh.”.
Ky është përfundim i pavërtetë i oficerit të UNMIK-ut dhe bie në kundërshtim të plotë me burimin gjoja të informacionit, kinse të gjetur në dokumentin e marrë gjatë bastisjes.Në këtë deklaratë të K.K. kinse thuhet: “…isha në një gjendje ku do të bëja çfarëdo, vetëm për t’u bërë ushtare. Personat që kishin njohuri për këtë veprim ishin Mus Jashari, Fehmi Lladrovci, Jahir Demaku, etj.”
Hedhim poshtë konstatimin se Fehmi Lladrovci ka qenë në “dijeni”, për kohën e dhënë, sepse në këtë kohë, ai gjendej në Rahovec.Për më tepër, nuk ka qenë metodë e njohur e as parim i UÇK-së për të verifikuar “ushtarin e ri” me ndonjë aksion. Për tu bërë anëtar i UÇK-së, ka mjaftuar vullneti dhe gatishmëria për tu rreshtuar në njësitë e UÇK-së. UÇK ishte plotësisht vullnetare.
UÇK nuk kishte mundësi teorike e as praktike të bënte “prova” me ata që kishin marrë rrugën e çlirimit, sepse, ata më afër e kishin vdekjen se lirinë.Ne pjesëtarët e Familjes Lladrovci, hedhim poshtë këtë pretendim.
Pas rënies heroike të Jasharajve, në gjysmën e parë të marsit 1998, në Kosovë arritën Feha me Xhevën, Hashimin, Kadriun, Abenë dhe shumë e shumë bashkëluftëtarë të devotshëm dhe të dëshmuar, prej të cilëve disa ranë dëshmorë dhe disa sot janë personalitete historike. Në atë kohë, Feha nuk jepte urdhra.Përkundër përvojës së tij në luftën e Kroacisë si Komisar i Brigadës vullnetare shqiptare dhe biografisë së jashtëzakonshme të stoicizmit në burgjet serbe, angazhimit për përgatitjen e luftës çlirimtare në Kosovë, Feha nuk ka pretenduar tituj ushtarak e as grada, aq më pak, të bëhej pjesë e vendimeve të formacioneve lokale të UÇK-së.
Ai nuk kishte ndërmend t’ia zinte vendin e askujt. Ai me veprën e tij jetësore tashmë e kishte vendin në histori.Unë dhe Familja Lladrovci kundërshtojmë fuqishëm deklaratat e Prokurorisë në Hagë ku ceket emri i heroit Fehmi Lladrovci.
Feha, Xheva dhe bashkëluftëtarët e tyre, ishin dhe mbesin çlirimtarë, heronj të Kosovës!Hashimi, Kadriu, Jakupi, Rexha dhe bashkëluftëtarët e tyre, ishin çlirimtarë, liridashës dhe atdhetarë që ideal e kishin lirinë e Kosovës, çlirimin nga okupatori shekullor.
Në emër të Familjes Lladrovci, Ramiz Lladrovci.
