
Kanë kaluar gjashtë muaj që nga zgjedhjet parlamentare në Kosovë, por ende nuk është konstituuar Parlamenti dhe nuk janë formuar institucionet. Megjithëse Lëvizja Vetëvendosje doli e para me 42 deputetë dhe ka të drejtën kushtetuese të propozojë kryeparlamentarin, kandidatura e Albulena Haxhiut është bllokuar, kryesisht për arsye politike dhe inate ndërpartiake.
Profesori Binak Maxharraj ka thënë se as pozita nuk po arrin të sigurojë votat e mjaftueshme, e as opozita nuk po tregon vullnet për bashkëpunim, duke e zvarritur qëllimisht procesin me shpresë për zgjedhje të reja në vjeshtë. Kjo sjellje po konsiderohet si papërgjegjësi e rëndë ndaj qytetarëve dhe një goditje ndaj shtetndërtimit të Kosovës.
Presidentja Vjosa Osmani është thirrur të ndërhyjë me vendosmëri, për të gjetur një zgjidhje ose për të shpallur zgjedhje të reja nëse bllokada vazhdon.
Shkrimi i plotë:
Kemi hyrë në muajin e gjashtë që kur u mbajtën zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë. Rezultati është ai që pritën votuesit, ku asnjëra parti nuk fitoi shumicën parlamentare për të formuar e vetme parlamentin. LVV i mori mbi 42 deputetë, PDK 22 deputetë, LDK aty diku kah 18 deputetë, që do të thotë se asnjëra parti nuk mund e vetme të konstituojë parlamentin, ani pse LVV doli e para me 42 vota dhe se për formimin e Parlamentit i duhet një hua e vogël nga partitë tjera parlamentare.
LVV, me Kushtetutë, i takonte të propozojë kandidatin për kryeparlamentar. E bëri këtë propozim duke e propozuar deputeten më të votuar me mbi 120 mijë vota. Por, me votimin e saj nuk po shkon diçka. Procesi është kokëçarje si nga pozita, ashtu edhe nga opozita. Nga pozita sepse nuk po don të anashkalojë apo, si thuhet, të bëjë shkrum në zjarr kandidaten më të devotshme, më aktive, që s’i trembet syri për asgjë kur është çështje ndërtimi i shtetit; kurse opozita nuk e voton Albulenën nga frika e saj, nga principialiteti i saj, duke i theksuar si të ashpra sjelljet e saj si ministre e drejtësisë.
Dhe bash këtu është lidhur nyja e Gordit që si pasojë e ka moskonstituimin e Parlamentit dhe qeverisë së saj. Nuk është se në këtë nyje diçka nuk po shkon që të ketë një zgjidhje. Kjo është punë inatesh midis partish, se cila po ia lë hilen tjetrës, duke e treguar të tërë idiotizmin parlamentar midis tyre. Realisht, asnjëra parti nuk po dëshiron të formojë Parlamentin – as pozita, që me dy-tre lëvizje mund t’i bëjë numrat, por as opozita, e cila po ashtu teorikisht mund t’i bëjë numrat, por nuk po do, por po kërkon kohë për të shkuar në zgjedhje të reja parlamentare, ndoshta në vjeshtë, së bashku me ato lokale.
Loja e tillë, si e deputetëve të pozitës, po ashtu edhe e opozitës, është një lojë e poshtër, idioteske, e pandershme dhe groteske, që është në kundërshtim me votën e popullit që i zgjodhi këta deputetë për t’i përfaqësuar. Sipas kësaj loje idioteske të deputetëve me votën e popullit, partitë politike janë ideatorët kryesorë që deputetët e Parlamentit sillen në këtë mënyrë, sepse loja e kryetarëve të partive politike, siç duket, është më e rëndësishme – lufta për pushtet sesa për shtet. Kjo lojë e poshtër dhe shumë idioteske e deputetëve të Parlamentit të Kosovës është thikë pas shpine në shtetndërtimin e Kosovës
Kjo lojë e poshtër dhe shumë idioteske e deputetëve të Parlamentit të Kosovës nuk i bën mirë shtetit të Kosovës, por po bëhet përrallë e Zotit në sytë e botës. Rreth kësaj sallamade të Parlamentit, rreth konstituimit të tij, po u shkon për shtat armiqve tanë, të cilët tashmë kanë filluar të tallen me Kosovën, duke e përdorur atë thënien e vjetër se gjoja “Kosova nuk është e aftë të bëjë shtet”.
Është koha e fundit që deputetët e Kosovës të lidhin një mendje pa humbur kohë, që sa më parë t’i lënë inatet personale, grupore dhe partiake, që të formojnë Parlamentin dhe institucionet e saj. Në të kundërtën, le t’i dorëzojnë mandatet dhe vendi le të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare, sepse – sipas popullit – “bjeshka nuk shtyhet me gjoks”. Ose le të veprojë më fuqishëm presidentja Vjosa Osmani sipas autoritetit të saj kushtetues, për të gjetur një zgjidhje sa më shpejt, e jo vetëm të kënaqet me atë se i kamë thirrur liderët e partive për diskutim dhe asgjë tjetër.
Presidentja edhe një herë duhet rreptësisht t’ua bëjë me dije liderëve të partive politike, deputetëve, që të dalin nga kriza në interes të vendit – për formimin e Parlamentit dhe institucioneve – e jo të merren me idiotizma të llojeve partiake. Ose presidentja të reflektojë se, nëse kjo nuk ndodh së shpejti, t’i shpallë zgjedhjet e reja si të vetmen zgjidhje që Kosova në zgjedhjet e reja të bëhet me deputetë më të ndërgjegjshëm dhe me institucione të reja.