Lajme

Lufta në Iran, zgjerohet konflikti: Izraeli godet Libanin, raketa të regjimit mbi Dubai dhe Doha, dy dronë drejt Qipros. Tre avionë amerikanë goditen gabimisht nga Kuvajti

Lufta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e Izraelit kundër Iranit ka hyrë në ditën e tretë, ndërsa konflikti është përhapur gjatë natës edhe në Liban.

Izraeli dhe Hezbollah shkëmbyen zjarr, me shpërthime të raportuara në jug të Bejrutit. Ndërkohë, Izraeli urdhëroi evakuimin e banorëve të mbi 50 qyteteve dhe fshatrave në Liban përpara sulmeve të paralajmëruara.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi në një video se “operacionet luftarake” kundër Iranit do të vazhdojnë “derisa të arrihen të gjitha objektivat tona”, duke paralajmëruar se mund të ketë më shumë viktima amerikane. Komanda Qendrore e SHBA-së konfirmoi se tre anëtarë të shërbimit amerikan janë vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur rëndë në një sulm iranian.

Në Izrael, raketat iraniane goditën qytetin Beit Shemesh, duke vrarë të paktën nëntë persona, sipas shërbimit të ambulancës Magen David Adom. Ky konsiderohet sulmi më vdekjeprurës ndaj Izraelit që nga nisja e luftës.

Në orët e para të së hënës, Izraeli nisi sulme ndaj objektivave që i cilësoi si të Hezbollahut në Liban, pasi grupi militant qëlloi me raketa drejt territorit izraelit. Zyrtarët iranianë raportuan se të paktën 153 persona u vranë pas një sulmi në një shkollë vajzash. Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, e cilësoi incidentin si një “akt barbar”.

Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan se tre persona janë vrarë që nga e shtuna në sulmet hakmarrëse të Iranit. Shpërthime janë raportuar gjithashtu në Bahrein, në qytetin irakian Erbil dhe në Jordani. Ndërkohë, çmimet globale të naftës u rritën ndjeshëm me hapjen e tregjeve aziatike të hënën në mëngjes, si reagim ndaj përshkallëzimit të konfliktit.top channel

Të Ngjashme