Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Lutfi Haziri, kandidat i LDK-së për kryetar të Gjilanit

 
   

Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Gjilan, Lutfi Haziri, ka zyrtarizuar sot kandidaturën e tij për kryetar të Komunës së Gjilanit në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Në një mbledhje të Kryesisë së Degës, Haziri ka paraqitur draftin final të analizës dhe raportit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, ku LDK kishte shënuar një rezultat pozitiv.

Pavarësisht konfirmimit të tij si deputet në Kuvendin e Kosovës, Haziri tha se tani fokusin do ta kenë përgatitjet për zgjedhjet lokale.

“Përderisa unë jam kryetar i Degës, jam kandidati i vetëm për Kryetar të Komunës dhe sot kemi hapur procesin për këtë,” tha Haziri.

Ai shtoi se LDK në Gjilan gëzon unitet politik dhe funksional, dhe se synimi kryesor është rikthimi i fuqishëm i partisë në udhëheqjen e komunës.

Haziri premtoi një listë të gjerë dhe përfaqësuese të kandidatëve për Kuvendin Komunal, duke u zotuar se LDK do ta rikthejë Gjilanin si një “kryeqendër ekonomike, arsimore, të sigurisë, kulturës dhe sportit”.

“Bashkë e me dashni, Gjilanit do t’ia rikthejmë namin,” përfundoi ai.