
Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar akuzat ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës se “po bllokojnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës”.
Para nisjes së seancës konstituive për herë të 45-të, në LVV thanë që partitë, të cilat deri tani ishin në opozitë, “janë destruktive dhe nuk po punojnë” në funksion të zgjidhjes së krizës politike, edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Kosova është në krizë politike tash e gjashtë muaj, pasi partitë parlamentare pas zgjedhjeve të 9 shkurtit assesi nuk po merren vesh për zgjedhjen e trupave të Kuvendit, proces që do t’i hapte rrugë formimit të qeverisë.
Deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, tha se partia e tij nuk është fajtore për bllokadën në Kuvend, derisa tha se deputetët e partive që deri tani ishin në opozitë po vijnë kot në Kuvend, pasi nuk po marrin pjesë në votim.
“Pyetja është sesi do të veprojnë PDK, LDK dhe AAK. A do të vazhdojnë me këtë destruktivitet apo do të kemi reflektim të zërave të arsyes… Bllokimi i Kuvendit të Kosovës qartazi është duke marrë karakter dhe ndikim financiar, duke i prekur të gjitha pjesët e jetës institucionale dhe politike. Mos të harrojmë se kjo opozitë, që më herët i ka bërë marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend, tani po shkakton dëm që kap miliona euro. Kjo po vazhdon edhe tash… Nuk ka faj Lëvizja Vetëvendosje në këtë çështje. Ne jemi duke bërë gjithçka që kërkohet prej nesh – jemi duke marrë pjesë në votim dhe duke ngritur dorën. Pyetja është: çfarë bëjnë deputetët e opozitës në këto seanca, ku vijnë kot. Nuk votojnë dhe nuk e marrin obligimin e tyre si deputetë në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.
Abrashi, në një konferencë për media të premten, foli edhe për nisjen e hetimeve nga Prokuroria Speciale të kontratës për ndërtimin e dy urave mbi lumin Ibër.
Ai tha se është për keqardhje që Prokuroria Speciale e sheh si rrezik dhe shkelje ligji shtrirjen e sovranitetit në veri.
“Është për keqardhje që Prokuroria Speciale e Kosovës, në vend që të kryejë mandatin dhe obligimin kushtetues për luftimin e krimit të organizuar dhe elementit destruktiv, është vënë në funksion të luftimit të institucioneve të Kosovës. Fakti që dikush heton kontrata që lidhen me angazhimin e qeverisë për të shtrirë sovranitet në veri dhe për të përmirësuar lirinë e lëvizjes së qytetarëve atje… Ndërtimin e urave e sheh si rrezik dhe shkelje ligji – nuk kam fjalë tjetër përveç të shpreh mllefin, ashtu siç kemi shprehur mllef ndaj tërheqjes së aktakuzës ndaj Radoiçiq”, theksoi Abrashi.
I pyetur për deklarimet e presidentes Vjosa Osmani, ku konfirmoi qëndrimet e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se së fundmi ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë, Abrashi tha se kjo është diçka që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka paralajmëruar shumë më herët.
Sipas tij, opozita i kishte konsideruar këto paralajmërime si sajime për përfitim politik.
“Kur kryeministri Albin Kurti në vazhdimësi ka theksuar rrezikun që Serbia ka ndaj Kosovës, dhe kur ka përmendur rrezikimin dhe planifikimet tepër të rrezikshme, disa përfaqësues të mediave janë tallur vazhdimisht… Kanë thënë që LVV-ja dhe Kurti po sajojnë sulme dhe kriza, pasi vetëm kështu mund të mbijetojnë politikisht. Çka ndodhi tani? U desh të dalë presidenti Trump e të thotë një të vërtetë që ne të mendojmë se paska diçka këtu. Kjo është në vazhdën e fatkeqësive që Kosova ka një opozitë destruktive”, shtoi ai.
Në anën tjetër, deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, tha se sot bëhen dymbëdhjetë vjet nga miratimi i Ligjit për Amnisti në Kosovë, i cili sipas saj ishte një kompromis i dëmshëm dhe një gabim historik i ish-pushtetarëve të atëhershëm.
Sipas saj, në Kuvendin aktual ka deputetë që në atë kohë votuan për këtë ligj të dëmshëm, ndërsa sot kontribuojnë në krizën politike duke mos votuar për konstituimin e Kuvendit.
“Votimi i ligjit për amnisti ishte një kompromis i dëmshëm dhe përtej kësaj ishte një gabim historik, pasi përveç tjerash, jo vetëm që u amnistuan krimet, por u inkurajuan grupet kriminale të vazhdojnë aktivitetet e tyre. Politikanët që qeverisën vendin tonë në atë kohë u kujdesën për amnistimin e krimeve… Sot, pas më shumë se një dekade, është e qartë se shumë nga ata që u amnistuan përmes këtij ligji jo vetëm që nuk u integruan, por vazhduan veprimtarinë e tyre kriminale. Kosova u përball me sulme dhe dhunë ndaj policisë dhe me organizime kriminale e terroriste… Është shumë e rëndësishme të flasim sot për 13-vjetorin e ligjit për amnisti. Atje poshtë, në Kuvend, ka deputetë që kanë ngritur dorën dhe kanë votuar këtë ligj të dëmshëm për Kosovën. Të njëjtit kanë votuar edhe për Zajednicën