Lajme

​LVV kërkon miratimin e ligjeve me procedurë të përshpejtuar, opozita kundër

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që dhjetë projektligje që janë në rend të ditës në seancën e sotme të jashtëzakonshme të miratohen me procedurë të përshpejtuar. Sipas partisë në pushtet është e nevojshme që këto projektligje, mes tyre edhe ai për çmimin tavan dhe për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, të miratohen për shkak të rëndësisë së tyre. Mirëpo kundër formës së miratimit të këtyre projektligjeve u shprehën partitë opozitare, raporton KosovaPress.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se projektligjet duhet të miratohen me procedurë të përshpejtuar për shkak të rëndësisë së tyre.

Nagavci: Të miratohen këto projektligje

“Për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme që ky projektligj ka për qytetarët dhe deputetët të japin kontributin e tyre në ditët në vijim”, tha ajo.

Kundër miratimit të projektligjeve me procedurë të përshpejtuar u shpreh deputeti i PDK-së, Përparim Gruda.

Gruda: Ne jemi kundër miratimit të këtyre projektligjeve në procedurë të përshpejtuar

“Është e pamundur edhe unë që jam jurist me i lexu dhe procesu këto. Ne jemi kundër. Mbi të gjitha pse është e rëndësishme që këto ligje kaq të rëndësishme të shqyrtohen në procedurë të përshpejtuar”, tha ai.

Po ashtu edhe Jehona Lushaku u shpreh kundër që këto projektligje të miratohen në këtë formë.

Lushaku: Po dëshironi të ikni transparencës

“Jemi thirrur për t’i kaluar dhjetë ligje të zakonshme të domosdoshme për qytetarët, por për t’iu ikur procedurave të rregullta. Me i kalu dhjetë ligje pa debat, transparencë dhe përgjegjësi”, tha ajo.

Ndërkaq, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, pyeti mazhorancën për urgjencën e miratimit të këtyre ligjeve.

Ai tha se qëllimi kryesor i LVV-së është përgatitja e platformës politike për zgjedhjet e ardhshme.

Tahiri: Po përgatitni platformën politike për zgjedhjet e ardhshme

“Cila është urgjenca, për çka jemi për ngut? Unë iu tregoj në fund mos ta nin. Urgjenca është parapërgatitja e platformës politike për zgjedhje… Kur të dilni në zgjedhje me thanë e kemi bërë ligjin tavan, edhe pse i kemi çu çmimet në tavan për me i rregullu marzhat”, tha ai.

Në rend të ditës për shqyrtim janë këto projektligje:

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 10/L-030 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 10/L-028 për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 10/L-025 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 10/L-026 për Shërbimet e Pagesave,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 10/L-027 për Lojërat Mesdhetare XXI Prishtina 2030,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 10/L-021 për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 10/L-022 për Banim Social dhe të Përballueshëm,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 10/L-023 për Shtetësinë e Kosovës,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 10/L-024 për Lëndët Plasëse,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 10/L-029 për Provimin e Maturës Shtetërore.

Përkundër debateve, Kuvendi miratoi shmangien e afateve procedurale për miratimin e këtyre projektligjeve.

Të Ngjashme