Lajme

LVV mban mbledhje nesër, Kurti paralajmëron se shpejt do ta propozojnë një kandidat për President

Një mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje do të mbahet nesër.

Aty do të diskutohet edhe për çështjen e Presidentit, siç paralajmëroi kryetari i kësaj partie, kryeministri Albin Kurti sot, pas një takimi me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

Kurti tha se mbledhja nuk është thirrur “enkas” për Presidentin, por tha se do të diskutohet kjo.

“Ne do ta kemi mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje nesër. Natyrisht që mbledhjen e nesërme nuk e kemi thirrur enkas për çështjen e Presidentit të Republikës. E kemi thirrur para se gjithash, për shkak se është obligim statutor i yni kronologjik që t’i kemi katër mbledhje në vit, pra çdo tre muaj, dhe sidomos për shkak se sivjet, 2026-a është vit zgjedhor në Lëvizjen Vetëvendosje”, tha ai.

Kurti paralajmëroi se LVV do ta propozojë një kandidat për president.

“Tash na duhen përgatitje të reja në LVV, por natyrisht që do ta diskutojmë edhe këtë çështje. Dhe duket që, kur s’ka mundësi për marrëveshje politike, kur s’ka mundësi për propozim konsensual, atëherë do të kemi propozime partiake që do të merren vesh shpejt”, tha ai.

I pyetur nëse kanë ndonjë emër konkret, Kurti tha:

“Ne nuk jemi përcaktuar për emër të veçantë. Ju e dini që Vetëvendosja është subjekt jo veçse i gjerë e i madh, por është më i madhi në Kosovën e pasluftës dhe besoj që nuk është vështirësia aty. Vështirësia do të jetë në hapat që na presin në vijim dhe uroj për një garë sa më demokratike, të hapur, dhe natyrisht sa më parë ta kalojmë edhe këtë sfidë”.

Të Ngjashme