
Lëvizja Vetëvendosje ua ka kërkuar votën banorëve të Gjilanit për të qeverisur edhe për një mandat. Në krye me Alban Hysenin, Vetëvendosje premtoi se do të ketë prioritet edukimin, shëndetësinë e mirëqenien e qytetarëve.
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubimin përmbyllës në Gjilan. Kreu i VV- së, Albin Kurti, bashkë me kandidatin për kryetar, Alban Hyseni, ua kërkuan votën edhe për një mandat banorëve të kësaj komune, të cilëve u premtuan projekte në arsim, shëndetësi e infrastrukturë. Sipas Kurtit, Alban Hyseni nuk ka konkurrencë në Gjilan.
“Albani si i dëshmuar për të mirë nuk ka konkurrencë me ata të tjerët që i keni provuar për të keq. Vazhdoni si Gjilan me Alban Hysenin si kryetar komune. Përkundër borxheve, Albani me mbështetjen nga qeveria jonë ka realizuar projekte të rëndësishme. Rreth dy milionë euro kanë qenë investimet kapitale në shëndetësi. E bujqit i ka mbështetur me subvencione e grante. Pothuajse në çdo komunë unë Alban Hysenin e përmendi si shembull i mirë i qeverisjes tonë”, ka deklaruar Kurti.
Vetëvendosje premtoi se do të ketë prioritet edukimin, punësimin, kulturën e mirëqenien e qytetarëve.
“Aktualisht në komunën tonë po punojmë në 11 projekte kapitale që janë historike, transformuese. Këto projekte kanë vlerë mbi 70 milionë euro. Stacioni i autobusëve që në mandatin tonë të dytë do të kthehet në trafik urban i cili e ndryshon mënyrën si udhëtojmë. Më pas Gjilani njihet si qytet i kulturës por që kemi vetëm teatrin si shtëpi të kulturës. Tashmë jemi në proces të përfundimit të qendrës së kulturës në vlerë 1.3 milionë euro”, tha Alban Hyseni, kandidat për kryetar të Gjilanit nga LVV.
Sipas Vetëvendosjes, Alban Hyseni do ta fitojë Gjilanin pa balotazh.