Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Manaj: Qeveria sfidon Gjykatën Supreme, rrezikohet rendi kushtetues në vend

 
   

Anëtari i LDK-së, Shkëmb Manaj, ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Supreme, duke e cilësuar si një konfirmim të qartë të shkeljes së Kushtetutës dhe ligjeve nga ana e disa anëtarëve të Qeverisë së Kosovës që ushtrojnë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe ministrit.

Manaj tha se aktgjykimi i sotëm i Gjykatës Supreme mbështet kallëzimet penale që LDK kishte paraqitur muaj më parë në Prokurorinë Speciale për 17 zyrtarë të qeverisë.

“Është vërtetuar ajo që kemi ngritur me kohë: ushtrimi njëkohësisht i detyrës së ministrit dhe deputetit është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Gjykata Supreme sot e konfirmoi këtë, duke konstatuar se ministri i Financave, edhe pse në dorëheqje, veproi në kundërshtim me vendimet kushtetuese”, u shpreh Manaj.

Ai tha se LDK do t’ia përcjellë aktgjykimin e Gjykatës Supreme Prokurorisë Speciale si dëshmi shtesë për kallëzimet penale ndaj ministrave dhe zëvendësministrave në fjalë.

Duke komentuar reagimin e Qeverisë ndaj vendimit, Manaj e cilësoi si “të papranueshëm, të rrezikshëm dhe tendencioz”.

“Reagimi i qeverisë është një tentativë për ta përmbysur rendin kushtetues dhe juridik të vendit. Është një paralajmërim se nuk do ta zbatojnë aktgjykimin e Gjykatës Supreme, dhe kjo për ne është alarmante. I bëjmë thirrje qeverisë që t’i kthehet ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë për të ruajtur sistemin demokratik dhe juridik në vend”, përfundoi Manaj.