Vendimi, i marrë më 19 janar, erdhi pas rinumërimit të pjesshëm të realizuar javën e kaluar, gjatë të cilit u identifikuan shkelje dhe dallime të theksuara, si dhe pas thirrjeve të vazhdueshme të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile për një rinumërim tërësor.
Ndërkohë, autoritetet e zbatimit të ligjit kanë nisur aksione në disa komuna, në kuadër të hetimeve për manipulim të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Prizreni, Ferizaj, Drenasi dhe së fundi Malisheva janë përfshirë në këtë operacion të gjerë hetimor, ku autoritetet po mbledhin prova dhe po intervistojnë persona të dyshuar për përfshirje në skema të organizuara të manipulimit të votës, në përpjekje për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.
Majde, në Prizren për 23 të dyshuar gjykata ka urdhëruar një muaj paraburgim.
Rrjedhimisht, a duhet të dorëhiqen ata deputetë të cilëve iu kanë shtuar votat nëpërmjet manipulimit?
Mehmeti: Manipulimi i votës brenda partive është krim politik, jo gabim teknik
Analisiti poliitk, Faton Mehmeti thotë se manipulimi i votës është krim politik që cenon drejtpërdrejt vullnetin e qytetarëve.

Faton Mehmeti
Ai theksoi se çdo përfitues i manipulimit mban përgjegjësi morale dhe ligjore, duke kërkuar hetim gjithëpërfshirës dhe largim nga politika për të gjithë të përfshirët, pasi demokracia, sipas tij, mbrohet vetëm me votë të pastër.
“Manipulimi i votës brenda partive është krim politik, jo gabim teknik. Nuk ka rëndësi kujt i janë shtuar apo hequr votat, rëndësi ka fakti se është prekur vullneti i qytetarit. Deputeti që përfiton nga manipulimi, edhe nëse hesht, bëhet pjesë e fajit.
Mandati nuk fitohet me kalkulator, por me besim publik. Nuk mund të ketë drejtësi selektive. Hetimi duhet të përfshijë çdo kandidat, çdo komisioner dhe çdo hallkë të përfshirë në këtë zinxhir të ndyrë të deformimit të votës.
Kush ka manipuluar duhet të largohet nga politika, jo të fshihet pas procedurave. Nëse institucionet mbyllin sytë, atëherë nuk kemi zgjedhje, por tregti mandateve. Demokracia nuk mbahet me fjalë, por me votë të pastër. Kush e prek votën, e ka humbur të drejtën morale për të përfaqësuar qytetarët” – foli Mehmeti për “Bota sot”.
Mehmeti: Ndaj manipuluesëve duhet të merren masa sipas ligjit, se rëndë është lënduar procesi zgjedhor në Kosovë
Kurse, analisti Gani Mehmeti vlerësoi se vjedhja e votave ka ndodhur në të gjitha partitë, përmes marrëveshjeve mes komisionerëve.

Gani Mehmeti
Ai kërkoi masa ligjore ndaj manipuluesve, duke theksuar se është dëmtuar rëndë procesi zgjedhor, ndërsa deputetët që kanë përfituar nga votat e rrejshme, sipas tij, duhet moralisht të tërhiqen vetë.
“Po. Vjedhja e votave nuk u kursye në asnjë parti. Megjithatë, diku u vodhën më shumë e diku më pak brenda së njëjtës parti të deputetëve.
Kjo, ashtu siç është thënë, janë bërë përmes marrëveshjeve mes komisionerëve të të gjitha partive, nga se ndryshe nuk do të ishte e mimdur.
Pra gjithçka është bërë sipas kompromisit të tyre.
Lidhur me këtë, ndaj manipuluesëve duhet të merren masa sipas ligjit, se rëndë është lënduar procesi zgjedhor në Kosovë, deri sa aq mirë kishte rrjedhur procesi zgjedhor, pa asnjë vërejtje si nga vendorët, ashtu edhe nga ndërkombëtarët.
Moralisht, vetë deputetët, të cilëve u janë shtuar votat në mënyrë të rrejshme, do duhej të tërhiqeshin vetë, dhe se, në këtë mënyrë deri-diku do të mund të “shfajësoheshin” se nuk kanë pasur gisht në këto procese hajnie të votave”, tha ai.
Tutje, Mehmeti tha se deputetët që kanë humbur vota nuk duhet të tërhiqen, pasi manipulimi është bërë pa dijeninë e tyre, ndërsa hetimet duhet të fokusohen tek ata që kanë përfituar.
Ai kërkoi dënim për manipuluesit, duke theksuar se është cenuar rëndë vullneti i qytetarëve.
“Sa u përket deputetëve që u janë marrë votat, nuk e shoh të arsyeshme të tërhiqen nga se, nuk do të kishte çmim me të cilin do të mund të paguheshin, që me lejen e tyre do ta shisnin votën, sepse vetë paga e deputetit është e madhe, sa nuk fo mbulohej me shitje vote. Pra, konsideroj se pa lejen e tyre u janë marrë votat.
Edhe kur e kemi fjalën për hapje të hetimeve, do duhej hetuar vetëm deputetët, të cilëve u janë shtuar votat, ji edhe atyre që u janë hequr ato.
Manipuluesit do duhej dënuar, sepse kanë vënë njolla të zeza Kosovës dhe se kanë prekur shumë keq në heqjen e votës si dhe në ndryshimin e vullnetit të votuesve, e drejta më elementare e zgjedhësve, pa marrë parasysh partinë dhe deputetët që u janë shtuar e hequr votat” – përmbylli analisti Gani Mehmeti për “Bota sot”.
