Publicistja Elida Buçpapaj ka reaguar ashpër ndaj intervistës së zhvilluar mes gazetarIT Cim Peka dhe presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, duke e cilësuar atë si një intervistë të “ujdisur”.
Në një shkrim reagues, Buçpapaj thotë se reagoi që në fjalinë e parë të intervistës, kur sipas saj u pretendua se “Parlamenti i Kosovës u vetëshpërnda”. Ajo e konsideron këtë deklaratë të pavërtetë dhe manipulim, duke theksuar se sipas saj realiteti është se ishte presidentja Osmani ajo që e shpërndau Kuvendin.
Sipas publicistes, nisja e intervistës me një pretendim të tillë e dëmton integritetin e saj profesional dhe e deformon një fakt që, sipas saj, ishte i dukshëm për opinionin publik.
Buçpapaj shprehet gjithashtu se shpërndarja e Kuvendit nuk është në interes të shtetit të Kosovës. Ajo shton se nuk është e fushës për ta përcaktuar nëse ky veprim mund të konsiderohet “grusht shteti”, por thekson se vendimi, sipas saj, nuk i shërben interesit të Republikës së Kosovës.
Në reagimin e saj, ajo kritikon edhe mënyrën se si u zhvillua intervista, duke thënë se presidentja u pyet për çështje që, sipas saj, i përshtateshin më shumë dëshirave të saj sesa interesit publik.
“Intervista filloi dhe përfundoi si një ujdisje për të madhështuar dhe glorifikuar kultin e individit të Vjosa Osmanit”, shkruan Buçpapaj në reagimin e saj.
Shkrimi i plotë:
Prolog
Një intervistë e ujdisur
Unë reagova që në fjalinë e parë shqiptuar nga Cim Peka në intervistën me Presidenten e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani.
Cim Peka tha se “Parlamenti i Kosovës u vetshpërnda”,
çka ishte e paqenë, e pandodhur, e pavërtetë, rrenë klluqe, gënjeshtër, fakeneës, manipulim…
pra pretendeti si intervistues startonte me një manipulim të trashë, që e fyente inteligjencien kombëtare,
pasi shtrëmbëronte duke e përmbysur një fakt, që u shfaq përpara syve të shqiptarëve mbarë dhe të paqenën “Parlamenti u vetshpërnda” e bënte të qenë,
duke e eleminuar të vërtetën, faktin se ishte znj Osmani që pa pikë mëshire e shpërndau Parlamentin e Kosovës
kur ky Parlament dalë nga vota e Sovranit kish vetëm 23 ditë që kish nisur punën prej konstituimit.
A ishte grusht shteti ky!
Nuk jam e fushës ta përcaktoj,
por e them me bindje dhe dhimbje se kjo shpërndarje nuk është absolutisht në interes të shtetit të Republikës së Kosovës.
Kur një intervistë starton me një të paqenë,
pra me një manipulim analfabetësh
pa çarë krye se si dëshmitar ishin gjithë sytë e veshët e opinionit publik,
atëherë sipas Shakespeare, “çdo gjë e nisur keq, për dreq, shkon edhe më keq”,
dmth intervista nisi me një rrenë dhe vijoi duke shkelur integritetin e një interviste profesionale si subjekt për interesin publik,
pasi Presidentja u pyet për çka ia kish ënda dhe qejfi dhe nuk u pyet për çka ajo duhej të jepte përgjigje
dhe kësisoj intervista filloi e mbaroi si një ujdisje për të madhështuar dhe glorifikuar kultin e individit të Vjosa Osmanit sikur kjo të qe Pejgamber.
Por, të paktën, ajo e pranoi se
nuk është Pejgamber.
(Vijon)
