Gjykata Themelore në Gjakovë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj njëzet e dy personave, të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit, duke u caktuar atyre masën e paraqitjes në stacion policor.
Sipas njoftimit të gjykatës, vendimi është marrë pas tri seancave të ndara dëgjimore të mbajtura mbrëmë, ku gjykata ka vlerësuar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.
Sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave, me autorizime të marra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në Qendrën Komunale të Numërimit në Gjakovë, e vendosur në palestrën e sporteve “Shani Nushi”, kanë ndërhyrë në mënyrë të kundërligjshme në procesin e votimit, duke falsifikuar rezultatet dhe duke cenuar integritetin e procesit zgjedhor si dhe vullnetin e lirë të votuesve.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, ka vendosur caktimin e masës së paraqitjes në stacion policor për të gjithë të pandehurit. Sipas këtij vendimi, ata obligohen të paraqiten në stacion policor për një periudhë prej një (1) muaji, nga data 6 shkurt 2026 deri më 5 mars 2026.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës, brenda afatit të paraparë ligjor.