Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Manipulim me vota për ish-ministren Meliza Haradinaj-Stublla, dëshmitarja thotë se njeh vetëm njërin nga të akuzuarit

 
   

Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e falsifikimit të votave në zgjedhjet e vitit 2021, ku po akuzohen Përparim Përvetica, Arbër Krasniqi, Ilirjan Hysenaj dhe Sahit Mataj, dëshmitarja Vlera Leti deklaroi se njohu vetëm të akuzuarin Ilirjan Hysenaj, pasi kishte punuar me të gjatë zgjedhjeve.

Ajo tha se Hysenaj kishte asistuar më shumë tek grupi ku ajo kishte qenë, por ndihmonte edhe grupet e tjera nëse ishte e nevojshme. Dëshmitarja shtoi se i akuzuari Hysenaj plotësonte formularët zyrtarë si kryesues dhe i vuloste dhe nënshkruante rezultatet në fund të listës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në pyetjen e mbrojtësit të Sahit Matajt, avokatit Driton Musliu, nëse një person mund të jetë edhe numërues edhe kryesues, dëshmitarja u përgjigj: “aty çka s’ka ndodhur”. Ajo tha se sipas rregullores nuk e di nëse dikush mund të punojë në të dyja pozitat, por praktikisht kjo ka ndodhur kur numëronte edhe kryesuesi.

Dëshmitarja shtoi se numëruesit dhe kryesuesi nuk kanë qëndruar pranë kutive të fletvotimeve gjatë gjithë kohës, por nuk beson se ka pasur hapësirë për manipulim, pasi ka pasur vëzhgues. Ajo nuk di nëse Hysenaj ka ndërhyrë në numra, por ai ishte i fundit që nënshkroi formularët.

Seanca vazhdoi me administrimin e provave materiale. Avokati Fanol Krasniqi tha se provat e prokurorisë nuk konkretizojnë për cilin të akuzuar bëhet fjalë. Ai shtoi se provat duhet të jenë të legjitimuara sipas KPRK-së dhe se audio dhe video incizimet janë nxjerrë pa urdhër gjykate dhe pa fillimin e procedurës, ndaj kërkoi që ato të shpallen të papranueshme.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Vesel Ismaili, tha se do të vendoset me shpalljen e aktgjykimit, ku secila provë do të selektohet veç e veç.

Ndryshe, më 13 nëntor 2023 Gjykata e kishte veçuar procedurën penale ndaj të akuzuarve Granit Halilaj dhe Dardan Gashi pasi që të njëjtit kishin lidhur marrëveshje për pranim të fajësisë.

Prandaj, ndaj Halilajt më 14 nëntor 2023 edhe është bërë shpallja e aktgjykimit, duke u dënuar me 1 vit burgim me kusht për veprën penale falsifikim i rezultateve të votimit.

Kurse, Gashi është dënuar me 12 muaj burgim me kusht, në mënyrë që për 12 muaj të mos kryejë ndonjë vepër tjetër penale, si dhe dënim plotësues 12 muaj ndalim i ushtrimit të profesionit në administratë publike.

Kurse ndaj Shalës, Krasniqit, Matajt, Përveticës dhe Hysenajt, vazhdoi procesi gjyqësor. Në seancën e 20 shkurtit 2025, Gjykata ka veçuar procedurën për ish-deputetin Haxhi Shala, pasi i njëjti po gjykohet në një proces tjetër gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 dhjetor 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj ish-deputetit Haxhi Shala, Arbër Krasniqit, Sahit Matajt, Përparim Përveticës, Ilirjan Hysenajt, Granit Halilajt dhe Dardan Gashit, të cilët akuzohen për falsifikim të rezultateve të votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sipas aktakuzës, përmes falsifikimit iu shtuan vota ish-ministres Meliza Haradinaj-Stublla nga subjekti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kandidatit për deputet, Haxhi Shala.