Prokuroria Themelore në Gjilan ka dalë me njoftim për aksionin lidhur me dyshimet për manipulim të votave, që u zhvillua sot në këtë rajon, ndërsa intervistimi i të dyshuarve po vazhdon, raporton Klankosova.tv
Komuna ku ka pasur më tepër ndryshim në rezultat doli të jetë Vitia, prandaj komisionerët e dyshuar po merren në pyetje akoma.
“Me datë 03.02.2026 kemi autorizuar policinë për intervistimin e të dyshuarve, fillimisht në Komunën e Vitisë, me që në këtë komunë ka pasur më tepër ndryshim në rezultat sipas rinumërimit, në krahasim me komunën e Gjilanit, Kamenicës, Novobërdës, Ranillugut, Parteshit, për të cilat intervistimet e të dyshuarve janë duke vazhduar akoma.”
Sipas Prokurorisë, në rastin e Gjilanit, dallimi s’ka qenë shumë i madh, prandaj procesi për personat që janë objekt hetimi, do të vijojë në procedurë të rregullt.
“Ju njoftojmë se në territorin, kompetencë e së cilës është Prokuroria Themelore në Gjilan, nuk është ndonjë dallim i theksuar nga rezultati i publikuar më parë në krahasim me rezultatin pas rinumërimit të votave (vlen të theksohet se vetëm një kandidat rezulton me -145 vota pas rinumërimit dhe të gjithë të tjerët janë nën këtë shifër) siç ka rezultuar në komunat e tjera të Republikës së Kosovës, andaj Prokuroria Themelore në Gjilan do të vazhdojë me hetime në procedurë të rregullt, deri në intervistimin e të gjithë të dyshuarve në gjitha komunat, përveq nëse paraqitet ndonjë rrethanë tjetër.”
