Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës dhe i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka reaguar pas deklaratës së ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, lidhur me çështjen e Manastirit të Deçanit, duke thënë se ministri është ngatërruar.
Sipas Manxhukës, ajo për të cilën kishte folur Rashiq nuk lidhet me vendimin për Manastirin e Deçanit, por me pranimin e kërkesës së tij për vizitën e Patriarkut serb, Porfirije, për Krishtlindjet Ortodokse të vitit 2023.
Ai ka theksuar se çështja e zbatimit të vendimit të Gjykata Kushtetuese e Kosovës të vitit 2016 dhe kushti i vendosur nga Këshilli i Evropës për anëtarësimin e Kosovës është sqaruar më herët nga Qeveria.
“Çështja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, vendosjes si kusht nga Këshilli i Evropës, përgjatë procesit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në vitin 2024 është sqaruar qartë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës dhe në konferencën për media pas saj, në kohën kur ishte marrë ai vendim”, ka shkruar Manxhuka.
Ai ka rikujtuar gjithashtu se në prill të vitit 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës kishte rekomanduar që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtare e plotë e organizatës.
“Zbatimin e aktgjykimit, tashmë të marrë nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2016, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka bërë vetëm në dritën e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe për asgjë tjetër”, ka theksuar ai.
Manxhuka ka përmendur edhe raportin e raportueses së Këshillit të Evropës, Dora Bakoyannis, e cila sipas tij kishte konfirmuar se pas zbatimit të aktgjykimit për Manastirin e Deçanit, Kosova kishte përmbushur parakushtet për anëtarësim në këtë organizatë.
Në fund, ai ka përsëritur se ministri Rashiq ka bërë një ngatërrim lidhur me deklaratën e tij.
“Ajo çka ka ngatërruar ministri Nenad Rashiq është pranimi i kërkesës së tij për vizitë të Patriarkut Porfirije, për Krishtlindjet ortodokse të vitit 2023”, ka shkruar Manxhuka.
Ndryshe një deklaratë e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, dhënë për mediumin lokal Radio Gorazhdeci, që sipas tij, dhënia e 24 hektarëve Manastirit të Deçanit është bërë vetëm për të nga kryeministri Albin Kurti, ka nxitur reagime te partitë opozitare.
Postimi i plotë:
