Lajme

Maqedonci takohet me Haluk Bayraktar

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka ndarë sonte përvojat e tij në stadiumin “Fadil Vokrri” para ndeshjes së rëndësishme mes përfaqësueses së Kosovës dhe Turqisë. Ai u takua me Haluk Bayraktar, CEO i kompanisë Bykar, e cila njihet si simbol i inovacionit modern, duke theksuar se futbolli, ashtu si teknologjia, kërkon saktësi, vendosmëri dhe koordinim.

“Sonte me mikun tim Haluk Bayraktar, CEO të kompanisë Bykar që është simbol i inovacionit modern, u takuam për të parë nga afër zhvillimet në një tjetër fushë, atë të futbollit, ku lojtarët e Kosovës dhe Turqisë do të marrin rolin e protagonistëve,” tha Maqedonci.

Duke e krahasuar lojën me teknologjinë e avancuar, ai shtoi: “Ashtu si dronët që synojnë me saktësi, edhe sulmuesit e të dyja ekipeve do të kërkojnë të godasin portën me vendosmëri, duke e kthyer ndeshjen në një duel të fortë, por të ndershëm.”

Maqedonci gjithashtu nënvizoi rëndësinë e dimensionit ndërkombëtar të kësaj sfide sportive.

“Kjo ndeshje nuk është vetëm një sfidë për pikë, por edhe një festë e miqësisë dhe respektit të ndërsjellë mes dy popujve. Në fund, le të fitojë përfaqësuesja më e mirë dhe mbi të gjitha, le të triumfojë sporti!”, theksoi ai.  

Të Ngjashme