Marina Orikum, marina e parë dhe e vetmja aktive në Shqipëri, po konsolidon gjithnjë e më shumë rolin e saj si një destinacion elitar i turizmit detar dhe një pikë referimi për zhvillimin ekonomik, kulturor dhe turistik të rajonit të Vlorës.
Përtej funksionit të saj si infrastrukturë moderne për lundrimin dhe mikpritjen e jahteve, Marina Orikum po shndërrohet në një qendër aktivitetesh që promovojnë vlerat lokale dhe pasuritë e zonës.

Në këtë frymë u organizua Panairi i Gastronomisë Detare, një event që solli në zemër të marinës shijet autentike të bregdetit shqiptar. I konceptuar në formën e një darke mes miqsh, nën moton “zbulo, degusto, shijo”, aktiviteti mblodhi vizitorë vendas dhe të huaj në një atmosferë festive, ku show-gatimi, degustimet, marketi i peshkut, produktet vendase dhe koncerti muzikor krijuan një eksperiencë të plotë mes shijeve, traditës dhe argëtimit.

Panairi vuri në qendër produktet e detit dhe përpunimin cilësor të tyre, duke promovuar potencialin gastronomik të Vlorës si një dimension i rëndësishëm i ofertës turistike të rajonit. Formati i hapur i degustimit krijoi mundësi për njohjen e produkteve lokale nga turistët e huaj, duke rritur interesin për kulinarinë shqiptare dhe duke kontribuar në promovimin e prodhimit vendas në tregje të reja.

Për Marina Orikum, aktivitete të tilla forcojnë pozicionimin e saj si një destinacion që ofron më shumë se peizazh dhe infrastrukturë moderne; një hapësirë ku takohen turizmi, kultura, gastronomia dhe ekonomia lokale. Ndërsa për Vlorën, këto iniciativa përkthehen në më shumë vizibilitet ndërkombëtar, më shumë mundësi për bizneset lokale dhe një ofertë turistike më të pasur gjatë gjithë vitit.

