Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se SHBA-ja ka pranuar një armëpushim dyjavor me Iranin, të ndërmjetësuar nga Pakistani, për t’u dhënë kohë palëve që të negociojnë një marrëveshje paqeje.
Trump, i cili më 7 prill paralajmëroi se “një qytetërim i tërë do të vdesë sonte” nëse Irani nuk bën marrëveshje, tha se ka marrë nga Teherani një propozim me 10 pika dhe se e konsideron atë një bazë të mirë për negociata.
Agjencia e lajmeve Tasnim, e afërt me forcat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), konfirmoi se është “vendosur” një armëpushim midis dy palëve, “me kushte të caktuara”.
Ajo nuk dha detaje shtesë, duke thënë se ato do të shpallen së shpejti.
Por si vlerësohet ndikimi strategjik këtij armëpushimi të përkohshëm në stabilitetin rajonal, dhe a mendohet se kushtet e vendosura mund të çojnë në një marrëveshje më afatgjatë apo vetëm do ta shtyjnë përshkallëzimin e konfliktit?
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë Drizan Shala.
Eksperti thekson se armëpushimi i ndërmjetësuar nga Pakistan nuk është një zgjidhje afatgjatë, por vetëm një ndalesë e përkohshme që synon të ulë rrezikun e përshkallëzimit të menjëhershëm dhe të krijojë hapësirë për qetësim të situatës.

Drizan Shala
Ai gjithashtu shpjegon se ky zhvillim tregon ndryshime më të gjera gjeostrategjike: rritjen e rolit të aktorëve jo-perëndimorë si ndërmjetës, përpjekjen e Shtetet e Bashkuara për të menaxhuar krizën pa hyrë në konflikt të drejtpërdrejtë, si dhe strategjinë e Irani për të fituar kohë dhe për të ripozicionuar interesat e tij.
“Armëpushimi dyjavor i ndërmjetësuar nga Pakistani duhet parë më shumë si një pauzë operative sesa si një kthesë strategjike. Në aspektin afatshkurtër, ai ul rrezikun e përshkallëzimit të menjëhershëm dhe krijon hapësirë për de-eskalim taktik, veçanërisht në një moment kur tensionet SHBA–Iran kanë potencial të shpërndahen në disa teatro (Gjiri Persik, Irak, Siri).
Nga këndvështrimi gjeostrategjik, ky zhvillim tregon tre elemente kyçe:
1. Rritjen e rolit të aktorëve ndërmjetësues jo-perëndimorë, si Pakistani, që po pozicionohen si kanale alternative ndikimi diplomatik.
2. Interesin e SHBA-së për të menaxhuar krizën pa hyrë në konfrontim të drejtpërdrejtë, sidomos në një kontekst të ngarkuar global.
3. Kalkulimin e Iranit për të fituar kohë, qoftë për ripozicionim strategjik, qoftë për të testuar vullnetin negociues të palës tjetër”, u shpreh ai.
Në fund, ai nënvizon që armëpushimi është i brishtë dhe nuk garanton stabilitet afatgjatë.
Gjithashtu, pa mekanizma verifikimi, garanci sigurie dhe marrëveshje të qartë, ai rrezikon të jetë vetëm një shtyrje e konfliktit, jo zgjidhje.
“Megjithatë, në aspektin afatmesëm dhe afatgjatë, ky armëpushim mbetet i brishtë. Nëse nuk shoqërohet me:
a. mekanizma verifikimi,
b. garanci sigurie,
c. dhe një kornizë të qartë negociuese,
atëherë ekziston rreziku real që të shërbejë vetëm si një shtyrje e përshkallëzimit, jo si zgjidhje”, përfundoi eksperti i sigurisë Drizan Shala për “Bota sot”.
