Politik

Marrëveshje politike për postin e Presidentit/es: Cilës parti do t’ia kërkojë votat Vetëvendosja?

 
   

Procesi i rinumërimit të votave të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025 është zgjeruar në të gjithë territorin e Kosovës, pas zbulimit të mospërputhjeve serioze në votat e kandidatëve për deputetë.

Më 13 janar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kishte nisur rinumërimin e plotë të votave në 10 komuna: Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillugu. Ky hap u ndërmor pasi gjatë verifikimit të 2 për qind të vendvotimeve u konstatuan dallime në votat e kandidatëve.

Ndërkohë, në 28 komuna të tjera ishte paraparë fillimisht rinumërimi i vetëm 10 për qind të vendvotimeve. Mirëpo, gjatë këtij procesi të pjesshëm u vunë re mospërputhje të mëdha, çka çoi në vendimin e ri të KQZ-së.

Më 19 janar, KQZ vendosi që të gjitha votat në vendvotimet e 28 komunave të tjera të rinumërohen plotësisht, duke e shtrirë kështu procesin e rinumërimit në gjithë vendin.

Komunat ku do të zhvillohet rinumërimi i plotë janë: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë-Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin-Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.

Vendimi për rinumërim të plotë erdhi pas kërkesave të vazhdueshme të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile, të cilat kanë theksuar nevojën për transparencë dhe ruajtje të integritetit të procesit zgjedhor.

Edhe në rinumërim Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë fituesja e këtyre zgjedhjeve, por mbetet të shihet nëse ajo do të arrijë konsesus për konstituimin e Kuvendit dhe për formimin e qeverisë pas përfundimit të rinumërimit.

Domosdoshmëria për institucione stabile dhe të qëndrueshme

Analisti Nexhat Haziri, thotë se LVV edhe për kuvend edhe për formimin e qeverisë Kurti 3 i ka votat.

 Image
 Analisti Nexhat Haziri 
 

Por, ajo do marrëveshje më të gjerë politike për zgjedhjen e presidentit/es.

“Është në dorën e Kurtit si fitues i zgjedhjeve të vendos nëse do të bëjë qeveri i vetëm apo me koalicion, që nënkupton të arrijë një marrëveshje me njërën nga dy partitë më të mëdha opozitare, PDK-në apo LDK-në. Edhe për konstituimin e Kuvendit dhe për formimin e qeverisë Kurti 3, LVV-ja i ka votat. Por, ajo që kërkon marrëveshje me të gjerë politike, është zgjedhja e presidentit/ presidentes, pasi Kurti nuk i ka votat e mjaftueshme dhe bazuar edhe në deklaratat e partive opozitare se nuk do të votojnë zgjedhjen e presidentit/presidentes nëse paraprakisht nuk ka një marrëveshje”, deklaron Haziri.

Ai e konsideron të domosdoshme që Kosova të ketë institucione të qëndrueshme dhe stabilitet politik, jo vetëm për zgjedhjen e kreut të shtetit, por edhe për procese tjera.

Sipas tij, Kurti duhet të jetë më fleksibil në ndërtimin e institucioneve të reja duke ofruar një koalicion më të gjerë.

“Përtej kësaj, është shumë e domosdoshme që Kosova të ketë institucione të qëndrueshme dhe stabilitet politik, dhe jo vetëm për zgjedhjen e kreut të shtetit, por edhe për proceset e tjera, siç është procesi i dialogut me Serbinë dhe marrëveshja finale që duhet të arrihet në një periudhë jo më shumë se dy vjeçare, e cila do të kërkojë edhe kompromise nga pala kosovare, sidomos kur është në pyetje formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, integrimet euro-atlantike, por edhe në rrafshin e brendshëm siç është avancimi i demokracisë, sundimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik. Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe vazhdimi i krizës institucionale e politike, do ta dëmtonte vendin në shumë fusha dhe pasojat do të ishin afatgjate. Andaj duhet që z. Kurti të jetë më fleksibil në ndërtimin e institucioneve të reja duke ofruar një koalicion me të gjerë, edhe për shkak të mungesës së kapaciteteve profesionale që ka vet subjekti i tij politik, e që kjo është dëshmuar edhe në mandatin e tij qeverisës sidomos në qeverinë Kurti 2”, shprehet analisti.

Deri më tani as nga partia fituese dhe as nga opozita nuk ka pasur ndonjë deklarim rreth gatishmërisë për ndonjë marrëveshje politike për shkak të postit të presidentit. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kreu i saj, Lumir Abdixhiku, ditë më parë deklaroi për nevojën e marrëveshjes politike rreth kësaj çështjeje, por nuk shprehu pozicionimin e tyre nëse ata do të jenë të gatshëm për marrëveshje.

Pritja për marrëveshje parimore, jo pazare politike

Avokati Gazmend Halilaj, thotë se arritja e një konsensusi minimal politik nuk është më opsion, por domosdoshmëri institucionale.

 Image
 Avokati Gazmend Halilaj 
 

“Pas rinumërimit: Konsensusi politik si domosdoshmëri për stabilitet institucional. Pas përfundimit të rinumërimit të votave, Kosova po hyn në një fazë vendimtare politike: konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re. Në këtë realitet, arritja e një konsensusi minimal politik nuk është më opsion, por domosdoshmëri institucionale. Lëvizja Vetëvendosje (LVV), si forca e parë politike edhe pas rinumërimit, mbetet aktori kyç për garantimin e stabilitetit dhe funksionalitetit të institucioneve. Konstituimi i Kuvendit kërkon përgjegjësi nga të gjitha partitë, duke shmangur bllokadat dhe kalkulimet e ngushta partiake”, shprehet Halilaj.

LVV pritet të synojë marrëveshje parimore, jo pazare politike, thotë Halilaj, gjersa shton se marrëveshjet për presidentin nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht koalicion qeverisës.

“ Presidenti – pika që i detyron marrëveshjet! Zgjedhja e Presidentit e bën të pashmangshme nevojën për bashkëpunim ndërpartiak, pasi kërkohet shumicë e cilësuar. Në këtë proces, LVV pritet të synojë marrëveshje parimore, jo pazare politike, me parti që tregojnë pjekuri institucionale dhe gatishmëri për stabilitet shtetëror. Marrëveshjet për Presidentin nuk nënkuptojnë domosdoshmërish koalicion qeverisës, por janë të nevojshme për funksionimin normal të shtetit. Qeveria: mandat qytetar për vazhdimësi reformash Sa i përket formimit të Qeverisë, LVV ka mandatin politik dhe moral për ta udhëhequr procesin, bazuar në votën qytetare për reformë, sundim të ligjit dhe luftë kundër korrupsionit. Çdo bashkëpunim eventual duhet të jetë mbi baza programore dhe në interes të qytetarëve, jo të ndarjes së pushtetit”, thekson avokati.

Në përfundim, ai shton se “Konsensusi politik pas rinumërimit është i vështirë, por i domosdoshëm. LVV mbetet faktori kryesor i stabilitetit institucional dhe orientimit reformues të vendit, dhe çdo marrëveshje që ajo ndërmerr duhet të jetë në shërbim të Kosovës dhe vullnetit të qytetarëve”.

Deri në mesditën e së premtes, pothuajse gjysma e vendvotimeve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit janë rinumëruar, teksa procesi është përmbyllur në 11 komuna.

KQZ pati paralajmëruar se i gjithë procesi pritet të marrë deri në 2 javë kohë, ndërsa ky rinumërim i plotë i votave pritet të shtyjë konstitutimin e përbërjes së re të Kuvendit dhe formimin e ekzekutivit të ri.

 
 
 
 

 

Të Ngjashme