Lajme

​Marrëveshjet ndërkombëtare që miratoi Qeveria në mbledhjen e parë

Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e parë ku ka miratuar disa marrëveshje financiare, të cilat tashmë do të procedohen për ratifikim në Kuvend.

Në këtë mbledhje, u hodh në votim edhe ratifikimi i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe BE mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për reforma dhe rritje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se qëllimi i saj është krijimi i bazës së nevojshme ligjore që Kosova të përfitoj nga fondet e BE-së.

Kurti: Qëllimi i kësaj marrëveshje është krijimi i bazës të nevojshme ligjore që Kosova të përfitoj nga fondet e BE

“Qëllimi i kësaj marrëveshje është krijimi i bazës të nevojshme ligjore që Kosova të përfitoj nga fondet e BE-së. Kemi nevojë për investime që janë të linjëzuara me sigurinë ekonomike të BE. Plani i rritjes së BE-së është përgjigja e duhur për të përshpejtuar reformat që sapo i kemi nisur”, tha Kurti.

Një tjetër projektligj kryesor ishte edhe ratifikimi i marrëveshjes së kredisë për instrumentin për reforma dhe rritje për Ballkanin Perëndimor ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Një marrëveshje e kredisë prej 629 milion euro.

Kurti: Marrëveshja ka për qëllim përshpejtimin e përafrimit me legjislacionin e BE

“Marrëveshja ka për qëllim përshpejtimin e përafrimit me legjislacionin e BE, integrimin ekonomik rajonal si dhe konvergjencën socio-ekonomike me BE, duke plotësuar fondet e instrumentit të para anëtarësimit. Në qendër të këtij përkushtimi qëndron agjenda e reformave të Kosovës”, tha Kurti.

E, një nga projektligjet kryesore është Ratifikimi i Marrëveshjes së Financimit për Programin e Parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër” mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, pjesë e Bankës Botërore, me vlerë totale prej 90.3 milionë euro.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se periudha e kthimit është 12 vjet dhe me normë interesi zero për qind. Marrëveshja pritet të ratifikohet nga Kuvendi deri më 13 shkurt, data e fundit e parashikuar për këtë proces.

Murati tha se Kosova ka përmbushur të gjitha objektivat me Bankën Botërore përfshi edhe reforma ligjore.

Murati: Kosovës i sigurohet përkrahje buxhetore prej 90.3 milion

“Qeveria ka nënshkruar me 18 prill marrëveshjen e kredisë për programin e parë për financimin e politikave, Kosovës i sigurohet përkrahje buxhetore prej 90.3 milion euro pasi që Kosova i ka përmbushur të gjitha objektivat me Bankën Botërore përfshi edhe reforma të ndryshme ligjore. Politikat zhvillimore janë plotësisht konform të ligjeve dhe akteve të tjera administrative të cilat kanë për synim të sigurojnë stabilitet afatgjatë makroekonomik afatgjatë”, tha Murati. Tjetër u miratua edhe ratifikimi i projektit KOMPAS, qasja gjithëpërfshirëse e Kosovës për forcimin e sistemit të shëndetësisë e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim me vlerë prej 18.6 milionë euro. Qëllimi kryesor është formësimi i kapaciteteve institucionale në rritjen e cilësisë së kujdesit në sistemin shënde3tësorë të Kosovës. Dhe ratifikimi i marrëveshjes së kredisë ndërmjet Kosovës për projektin edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës me vlerë 18.6 milion euro.

 

Të Ngjashme