Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës do të udhëheqë dialogun për normalizim të raporteve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Një ndryshim i tillë vlerësohet si “momentum i ri” nga vëzhgues politikë në Prishtinë.
Lajmi u bë i ditur nga MPJD-ja, pas një takimi të udhëheqësit të kësaj ministrie, Glauk Konjufca, me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, në Prishtinë.
Mandatin e kaluar qeverisës, në nivel politik, Kosova në dialog është përfaqësuar nga kryeministri, Albin Kurti, ndërkaq në nivel kryenegociatorësh nga Besnik Bisilimi.
“Gjatë takimit, Konjufca e informoi Sorensenin se procesi i dialogut tashmë do të jetë nën udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Në takim u diskutua momentumi aktual në të cilin ndodhet dialogu, si dhe u shkëmbyen pikëpamje mbi qasjen dhe parimet e nevojshme për të siguruar një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm”, u tha në njoftim.
Konjufca, i cili njëherësh është zëvendëskryeministri i parë, tha se Kosova mbetet “e përkushtuar që dialogun ta shohë si një mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian”.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Konjufca do të jetë bartës i këtij procesi, që ka nisur më 2011. Radio Evropa e Lirë i është drejtuar MPJD-së për të kuptuar më shumë hollësi dhe është në pritje të përgjigjes.
Muhaxhiri: Momentum i ri në dialog
Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Artan Muhaxhiri, beson që marrja e udhëheqjes së dialogut nga MPJD-ja shënon një “momentum të ri”, por paralajmëron se çdo gjë në këtë proces do të varet nga “gatishmëria për të bërë kompromise dhe për të qenë realist”.
“Dialogu do të duhej të ishte projekti kryesor i Qeverisë së Kosovës në muajt e ardhshëm”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, pesha më e madhe për ta çuar përpara procesin qëndron te vullneti dhe gatishmëria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti “që të bëhen hapa të rëndësishëm në dialog, sepse është e qartë se ndonëse mund të mos jetë i përfshirë krejtësisht në dialog, prapëseprapë, ai është alfa dhe omega e gjithë pozicionit të Kosovës në dialog”.
I pyetur për performancën që mund ta ketë Konjufca në krye të këtij procesi – nëse konfirmohet – Muhaxhiri thotë se ai mund të sjellë energji të reja.
“Besoj se Konjufca mund të sjellë një energji të re, një vizion të ri dhe nëse me tërë potencialin e tij aktivizohet në dialog në baza të realizimit dhe pragmatizmit politik, atëherë mund të sjellë rezultate pozitive në aspektin e zhbllokimit të dialogut dhe largimit të stigmatizimit të Kosovës si bllokuese e gjithë këtij dialogu“, thotë Muhaxhiri.
Megjithatë, ai paralajmëron se nuk do të ishte mirë që Konjufca, siç shprehet ai, të mbetej nën hijen e Kurtit, duke argumentuar se një gjë e tillë do të nënkuptonte se do të vazhdohej me gjendjen aktuale, të cilën e vlerëson si “negative”.
“Por, besoj që parimisht do të ishte shumë mirë që edhe për kryeministrin Kurti dhe ministrin Konjufca që ai [Konjufca] t’i kishte duart e lira në vendimmarrje përbrenda një realizmi politik. Nëse edhe Konjufca do të vazhdojë me kokfortësinë e deritanishme që e ka pasur zoti Kurti, atëherë nuk mund të ketë ndonjë zhvillim pozitiv”.
Sipas tij, do të ishte kundërproduktive që Konjufca të vazhdonte me qasjen e deritanishme.
“Unë jam i bindur që Konjufca do ta ketë një plan të ri, por shumëçka do të varet nga vullneti dhe gatishmëria e Kurtit”, thotë ai, duke shtuar se Kosova ka humbur shumë në periudhën që nuk ka zhvilluar dialog, qoftë në dimensionin politik, ekonomik e të tjera.
“I gjithë ky stagnim duhej të shndërrohej në mësim edhe për zotin Konjufca që ta ndryshonte, me gjithë potencialin e tij, qasjen dhe ta bënte pakrahasimisht më pozitive me raport me atë që ka qenë deri më tash”,
