Vendosja e masës nga Kushtetuesja nuk ka ndikuar në funksionimin e ekzekutivit. Qeveria vazhdon agjendat politike bazuar në kompetenca.
Njohës të çështjeve politike nënvizojnë se në këtë gjendje ekzekutivi vazhdon të zhvillojë politika, të ndërmarrë iniciativa dhe të marrë vendime brenda kompetencave. Ajo që e cungon punën është çdo veprim që ndërlidhet me agjendën legjislative, që deri në një vendim të kushtetueses mbetet pezull.
Këtu përfshihen edhe marrëveshjet ndërkombëtare dhe sektorë të tjerë që kërkojnë ndërveprim me Kuvendin e Kosovës.
“Në kuptimin e agjendës legjislative e pengon punën e qeverisë, por në kuptimin e punëve të tjera në asnjë rrethanë nuk e pengon atë. Uroj që kjo të përfundojë sa më parë përkatësisht në datën e duhur në mënyrë që të mos kemi nevoja për rrethana të reja. Klasa jonë politike duhet të reflektojë. Sikur pushteti ekzistues, sikur shumica e re, sikundër edhe partitë që kanë humbur zgjedhjet për të kaluar nga kjo rrethanë që jemi, që nuk është dobiprurëse për Republikën e Kosovës”, tha Dorajet Imeri, analist politik.
“Qeveria është duke i kryer funksionet e veta të përcaktuara me ligj. Përpos vendimeve që duhet të kalojnë përmes Kuvendit të Kosovës, aty nuk mund të veprojë. Përndryshe ministritë i kanë përgjegjësitë e ndara dhe mund të funksionojnë normalisht”, tha Sadik Zeqiri, analist politik.
Ka marrëveshje ndërkombëtare që, kanë mbetur pezull, që sipas këndvështrimit të njohësve të fushës, ka nga to që janë neglizhuar nga legjislativi, pasi nuk janë hedhur në kohë në votim.
Qartësi për çështjet që kanë mbetur të hapura pritet të japë vetë Gjykata Kushtetuese, e cila do ta përcaktojë edhe rolin e Kuvendit dhe të deputetëve në këtë situatë institucionale.
