Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Matoshi: Pa marrëveshje politike nuk sigurohen 61 vota – votimi i fshehtë s’e zgjidh krizën

 
   

Pas dështimit të seancës së 41-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, anëtari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Matoshi, ka deklaruar se kriza nuk mund të zgjidhet pa një marrëveshje politike të mirëfilltë, pavarësisht se si vendoset të zhvillohet votimi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Në emisionin “Info Nata”, Matoshi theksoi se vullneti i deputetëve luan rol në zgjidhjen e ngërçit, jo forma e votimit në mënyrë të fshehtë.

“Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë udhëzim recidive të shkruara. Edhe nëse do të thoshte që votimi i fshehtë është i drejtë dhe Kuvendi duhet të vazhdojë me të, prapë nuk do të prodhonte rezultat”, u shpreh Matoshi.

Ai shtoi se dështimet e njëpasnjëshme për ta konstituuar Kuvendin e ri janë pasojë e mungesës së marrëveshjes politike ndërmjet grupeve parlamentare, që do të siguronte shumicën prej 61 votash.

“Gjërat nuk ndodhin rastësisht. Nuk mundesh me i marrë rastësisht 61 vota. Duhet marrëveshje politike në mënyrë që t’i kesh ato vota”, deklaroi Matoshi.

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të zgjedhë kryetarin e tij as në seancën e 41-të.

Ndërkohë, partitë vazhdojnë akuzat e ndërsjella dhe përpjekjet për të interpretuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me formën e votimit.