
Profesori i njohur Binak Maxharraj ka reaguar në profilin e tij në Facebook lidhur me incidentin e fundit në Mitrovicën e Veriut, ku një grup nxënësish të nacionalitetit serb shfrytëzuan ditën e maturës për të promovuar mesazhe nacionaliste dhe shoviniste.
Në reagimin e tij, profesori Maxharraj u shpreh i shqetësuar për heshtjen dhe mosdënimin e qartë të këtij akti nga ana e misionit të EULEX-it, përkundrazi, theksoi ai, kreu i këtij misioni zgjodhi të kritikojë Policinë e Kosovës për një ndërhyrje të matur dhe profesionale.
Profesori vlerësoi qëndrimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili doli publikisht në mbrojtje të policit në fjalë dhe theksoi se ai ka vepruar në përputhje me detyrat dhe kompetencat që i takojnë.
Postimi i plotë:
Është kënaqësi e madhe kur nxënësit e shkollave të mesme e mbarojnë maturën, sepse matura konsiderohet si akt i pjekurisë së nxënësve të kësaj moshe. Prandaj, këto ditë kudo nëpër shkollat e mesme këtë ditë të pjekurisë së tyre nxënësit e të gjitha nacionaliteteve e festojnë me hare dhe gëzime.
Por ka raste që ky manifestim edhe të keqpërdoret, bile të shkohet aq larg sa që në këto manifestime edhe të keqpërdoren për motive nacionaliste.
Një incident i tillë qëllimisht ndodhi më 23 maj në Mirovicën e Veriut, ku një grup nxënësish të nacionalitetit serb manifestuan rrugëve të Mitrovicës së Veriut duke i dhënë ngjyrë nacionaliste një festimi të këtillë. Ata, duke “manifestuar” rrugëve të Mitrovicës së Veriut, përdorën simbole nacionaliste dhe brohoritje shoviniste, sikurse është ajo “Kosova është zemra e Serbisë” e shumë të tjera që ia dhanë faqen e zezë dhe ngjyrën nacionaliste këtij manifestimi.
Me këtë rast, sipas detyrës dhe sipas kompetencave të saj, reagoi edhe Policia e Kosovës, e cila ka për detyrë të sigurojë mjedis të qetë në çdo vend dhe pjesë të vendit. Për këtë incident pati reagime të shumta ndër më të ndryshmet.
Në këtë rast reagoi edhe Shefi i misionit të EULEX-it, Giovani Pietro Barbano, duke theksuar se “ndihet thellësisht i tronditur”, duke mos e dënuar fare fare incidentin të cilit nxënësit e nacionalitetit serb gjatë këtij manifestimi ia dhanë ngjyrën tipike nacionaliste, por ai e dënoi ashpër se gjoja Policia e Kosovës, e thirrur për rend e qetësi, paska përdorur “forcë të tepruar” nga polici i Kosovës ndaj të riut serb.
Nga ana tjetër, të parit të EULEX-it iu përgjegj ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili theksoi se “polici kishte vepruar në mënyrë profesionale në kuadër të kompetencave të tij, me qëllim që të ndalte eskalimin e mëtejshëm të situatës, e cila fatmirësisht kaloi e qetë.”
Pra, këto janë dy reagime të veçanta, të ndryshme nga ana e dy institucioneve përgjegjëse për sigurinë e vendit.
Ky fakt tregon se sa nuk janë të koordinuara institucionet vendore me ato ndërkombëtare, kur “njëri i mshonë samarit e tjetri gomarit.”
Për situata të këtilla, midis këtyre dy institucioneve duhet të ketë koordinim dhe qëndrim të përbashkët mes tyre, e jo të dilet për një incident me qëndrime të ndryshme.
Kjo nuk çon askund, këtij nuk i thonë koordinim midis tyre, por çorjentim për një ngjarje aq që ka ndodhë.
Kujtoj se është e rëndësishme që për rastet e tilla Policia e Kosovës dhe EULEX-i duhet të koordinohen, të kenë bashkëpunim mes vedi, e mos të dalin me deklarata të ndryshme për të njëjtën ngjarje.