Lajme

Mbi 120 shoferë në Gjakovë kapen duke vozitur nën ndikim të alkoolit

Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Gjakovë ka vazhduar aktivitetet e shtuara për rritjen e sigurisë në trafik, përmes zbatimit të planeve operative “Alkooli” dhe “Vera 2026”.
Bëhet e ditur se gjatë 10 ditëve të fundit, zyrtarët policorë kanë realizuar kontrolle të shtuara parandaluese, vetëdijesuese dhe ndëshkuese me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe respektimin e rregullave të komunikacionit.

Sipas të dhënave të policisë, gjatë këtij aksioni janë kryer gjithsej 1,892 teste për alkool, ku 123 drejtues të automjeteve kanë rezultuar se kanë qenë duke drejtuar automjetet nën ndikimin e alkoolit. Ndaj tyre është zbatuar masa mbrojtëse e patentë-shoferit.

Përveç rasteve të vozitjes nën ndikim të alkoolit, policia ka shqiptuar edhe 1,580 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik, përfshirë tejkalimet e pasigurta, shpejtësinë e tejkaluar, përdorimin e telefonit gjatë ngasjes, mosvendosjen e helmetës dhe shkelje të tjera të rregullave rrugore, transmeton Klankosova.tv.

Gjatë zbatimit të planit operativ “Vera 2026”, janë evidentuar edhe dy raste të posedimit të narkotikëve dhe një rast i armëmbajtjes pa leje.

Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Gjakovë ka bërë apel ndaj të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit, duke theksuar se kujdesi dhe përgjegjësia në rrugë janë faktorë kyç për parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë.

Të Ngjashme