Ministri i Shëndetësisë i Libanit, Rakan Nassereddine, ka thënë se numri i të vrarëve nga sulmet izraelite ka arritur në 89 persona dhe pritet të rritet, ndërsa njerëz të tjerë vazhdojnë të mbesin nën rrënoja.
700 të tjerë janë plagosur në sulmet e Izraelit të cilat u intensifikuan që nga hyrja në fuqi e një armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit.
“Nevojat po rriten, por shkalla e sulmit është gjithashtu e madhe”, tha Nassereddine për Al Jazeera.
“Po përballemi me një përshkallëzim të rrezikshëm që ndodhi në Liban, një agresion izraelit me më shumë se 100 sulme ajrore që shënjestruan civilë të pafajshëm në Bejrut, Dahiyeh, Bekaa, Malin Liban dhe në jug.”
Sulmet izraelite shënjestruan gjithashtu spitalet, qendrat mjekësore dhe ambulancat, tha ministri.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të mërkurën se Libani “nuk është i përfshirë” në marrëveshjen dyjavore të armëpushimit, sipas korrespondentes së PBS-së në Shtëpinë e Bardhë, Liz Landers.
Presidenti amerikan raportohet se i ka thënë Landers se Libani nuk ishte përfshirë për shkak të grupit Hezbollah , për të cilin ai tha se “do të merrej në konsideratë”.
Kur u pyet për sulmet e Izraelit ndaj Libanit, Trump iu referua asaj si “një përleshje e veçantë”.
Ndërkohë, Irani ka insistuar se armëpushimi duhet të përfshijë dhe Libanin dhe ka bërë të ditur se do të tërhiqet nga armëpushimi nëse sulmet ndaj tij vazhdojnë./teve1.info/
