Lajme

Mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë për zhvillimet në Iran

Mbrëmë u mbajt mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë me kërkesë të Kryeministrit Albin Kurti, për të diskutuar situatën e sigurisë në Lindjen e Mesme pas operacionit ushtarak “Epic Fury” të SHBA-së dhe partnerëve ndaj Iranit.

Kryeministri Kurti ritheksoi qëndrimin e Kosovës përkrah miqve strategjikë dhe veprimet e SHBA-së, duke i konsideruar ato si masa për parandalimin e përshkallëzimit dhe kufizimin e kapaciteteve destabilizuese në rajon.

Kosova gjithashtu shpreh solidaritet me popullin e Iranit dhe apelon që qytetarët të informohen vetëm nga burime zyrtare, duke shmangur dezinformatat dhe propagandën.

“Mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë

Mbrëmë vonë, me kërkesë të Kryeministrit të Kosovës z. Albin Kurti është mbajtur mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë, për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit të situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme, gjegjësisht zhvillimit të operacionit ushtarak “Epic Fury” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të forcave partnere, kundër Republikës Islamike të Iranit.

Kryeministri Kurti ka ritheksuar qëndrimin e qartë të institucioneve të Republikës së Kosovës se qëndrojnë të palëkundur përkrah miqve dhe aleatëve tanë strategjikë, e në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përpjekjet për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar.

Republika e Kosovës, në përputhje me orientimin e saj euroatlantik dhe partneritetin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështet veprimet e ndërmarra nga SHBA-të ndaj objektivave të regjimit të Ajatollahëve në Iran, duke i vlerësuar ato si masa që synojnë parandalimin e përshkallëzimit të mëtejmë dhe kufizimin e kapaciteteve destabilizuese në rajon.

Njëkohësisht, Republika e Kosovës shpreh solidaritetin e saj me popullin e Iranit dhe aspiratat e tyre legjitime për liri, dinjitet dhe të drejta themelore.

Institucionet e Republikës së Kosovës tashmë kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës, dhe se janë duke i monitoruar për së afërmi zhvillimet në Lindjen e Mesme, sikurse edhe implikimet e mundshme për Kosovën dhe rajonin. Ne po ashtu jemi në komunikim të afërt dhe të vazhdueshëm edhe me partnerët tanë strategjik.

I bëjmë thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që të qëndrojnë të qetë dhe të informohen vetëm përmes kanaleve zyrtare dhe burimeve kredibile të informimit, dhe të mos bien pre e dezinformatave dhe propagandës që kanë për synim destabilizimin e vendit dhe krijimin e pasigurisë, tensioneve apo përhapjen e narrativeve kundër shtetësisë dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Republika e Kosovës mbetet një partnere e besueshme dhe e përkushtuar e komunitetit euroatlantik dhe do të vazhdojë të kontribuojë në përpjekjet e përbashkëta për paqe, siguri dhe stabilitet global”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Të Ngjashme