Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq ka folur lidhur me pretendimet e Prokurorisë për qëllimin e përbashkët kriminal të të akuzuarve në këtë rast gjyqësor.
Ai tha në dëshminë e tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi ka deklaruar që nuk ka qenë në dijeni të qëllimit kriminal siç pretendohet në aktakuzë. Ngjashëm, si Zyrapi, mbrojtja thotë se kanë dkelarauar edhe ndërkombëtarët që kanë dëshmuar në këtë çështje gjyqësore, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Por, Mishetiq ngrit pikëpyetje se si është e mundur që Zyrapi dhe ndërkombëtarët të mos kenë qenë në dijeni për këto gjëra, ndërkohë që pretendohet se personeli më i ulët i UÇK-së kanë marrë mesazhe kriminale sidomos përmes komunikatave.
“Nuk ka pikë vlere dhe nuk ka fare kuptim e aq më pak të përbëjë provë përtej dyshimit të arsyeshëm. Si është e mundur që ZPS-ja argumenton se si ndërkombëtarët dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm nuk kishin informacion për qëllimin e përbashkët kriminal por në nivel më të ulët personeli i UÇK-së kishte mundësi që të merrte mesazhe kriminale”, tha ai.
Ai deklaroi se duhet të bëhet pyetje se si është e mundur që të fshihet diçka nga ndërkombëtarët, duke shtuar se nuk iu janë dashur 20 vite atyre që të zbulojnë propagandën nxitëse në Ruandë, Bosnje e po ashtu edhe atë të Millosheviqit në Serbi.
Përpara kësaj, Mishetiq ka thënë se ka prova të mjaftueshme që Thaçi të shpallet i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
“Argumentet e ZPS-së nuk e përbëjnë arsyetimin e vetëm të arsyeshëm të provave që është standardi që duhet arritur me qëllim që të rishkruani historinë e Kosovës në këtë rast dhe ta gjeni fajtor Thaçin. Ka prova të bazuara të mjaftueshëm që atë ta shpallni jofajtor për të gjitha pikat e aktakuzës”, tha ai.
