Lajme

Mbyllja e ambulancave të strukturave paralele serbe në Skënderaj, shkeljet i raportoi një qytetar serb

Ambulancat mjekësore në dy fshatra që janë të banuara me shumicë nga komuniteti serb, u mbyllën dje nga komuna pasi brenda tyre u gjetën barna me afat të skaduar. Zyrtarë komunalë kanë bërë të ditur se këtë çështje e denoncoi një qytetar serb. Komuna ka treguar se pse nuk ka ndërhyrë më herët në këto dy institucione që menaxhohen nga strukturat ilegale serbe.

Vulat qenë të gatshme pati apo s’pati nevojë për kontrolla mjekësore.

Edhe atë nuk e përdori profesionisti shëndetësor i ambulancës së mjekësisë familjare në Syriganë, e cila menaxhohej nga strukturat ilegale serbe.

Veç tyre këtu pati edhe shkelje tjera.

Medikamente mjekësore pa banderola e me afat të skaduar janë vetëm dy nga shkeljet që u gjetën në Ambulancën e Mjekësisë Familjarë ne Syriganë të Skenderajt. E njëjta me vendim te kryetarit u mbyllë të premten.

Të njëjtin vendim, kryetari i Skenderajt e mori edhe për Ambulancën e Banjës.

Por si e pranuan informacionin se po zhvillohej veprimtari e jashtëligjshme tregoi zëdhënësi i komunës, Amir Lushtaku.

“Kryetari i komunës, Sami Lushtaku e ka pranu një informatë nga një qytetar i komunitetit serb me vendbanim në Syriganë që ka një sasi të barnave me afat të skaduar, me të pranu këtë informatë kryetari i ka dërgu inspektoratin dhe pjesët e drejtorisë së shëndetësisë”, ka thënë Amir Lushtaku, zëdhënës i komunës së Skenderajt.

Pas mbylljes së këtyre dy ambulancave, njerëz të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje ironizuan me kryetarin e komunës, Sami Lushtaku, i cili në të kaluarën kishte kritikuar mbylljen e institucioneve ilegale serbe në veri të Kosovës.

Por, komuna u kritikua edhe se pse nuk ua ka vendosur drynin më herët këtyre institucioneve.

Ndërsa zëdhënësi i komunës Lushtaku tregoi se pse nuk e morën këtë vendim më herët.

“Nuk kemi pas një informatë për veprimtarinë e këtyre dy ambulancave më herët dhe kjo gjendje është konstatu një ditë para nxjerrjes së urdhëresës”, ka thënë Amir Lushtaku, zëdhënës i komunës së Skenderajt.

Ndërkohë inspektimet në këto dy objekte do të vazhdojnë dhe me vendim të kryetarit, një pjesë e barnave nga QKMF-ja në Skenderaj, sipas zëdhënësit, do të dërgohet atje.

Një ditë më parë, kryetari Lushtaku ka shkruar në Facebook se këto dy AMF mund të rikthehen në funksion vetëm kur të integrohen plotësisht në sistemin shëndetësor të Republikës së Kosovës.

Të Ngjashme