Lajme

Më 15 korrik shpallet aktgjykimi në shkallë të dytë ndaj Pjetër Shalës

 
   

Më 15 korrik 2025 është planifikuar qe të bahet seanca e apelit ku pritet të shpallet aktgjykimi mbi ankesën e Pjetër Shalës kundër aktgjykimit të themelores e cila e dënoi me 18 vjet burgim.

Vendimi për caktimin e kësaj seance është marrë me 4 qershor 2025 dhe seanca pritet të fillojë nga ora 10:00 duke marrë parasysh edhe 45 minuta vonesë në transmetim.

“CAKTON shpalljen e Aktgjykimit të Apelit për të martën, më 15 korrik 2025, në orën 10:00; dhe
UDHËZON Palët dhe Pjesëmarrësit që të njoftojnë, deri të premten, më 4 korrik 2025, në orën 16:00, nëse do të jenë të pranishëm në sallën e gjyqit gjatë kësaj seance, ashtu siç është detajuar më sipër në paragrafin 4
”, thuhet në vendim.

Në këtë rast janë mbajtur dy seanca të apelit (15 dhe 16 maj 2025) në të cilën mbrojtja ka kërkuar lirimin e Shalës ose rikthimin e çështjes në rigjykim ndërsa Prokuroria ka thënë se trupi gjykues në këtë rast ka vendosur drejtë. Ngjashëm sikurse Prokuroria, qëndrimin e ka pasur edhe mbrojtësi i viktimave.

Ndryshe, më 28 mars 2025 është hedhur poshtë një kërkesë e mbrojtjes që në Apel të thirret Sokol Dobruna si dëshmitar i saj.

Në vendimin e saj, kryetarja e trupit gjykues, Michele Picard ka thënë se provat e propozuara nuk do të ndikonin në aktgjykimin ndaj Shalës në rast që ato do të ishin pranuar gjatë gjykimit në shkallë të parë, ku Shala u dënua me 18 vjet burgim për krime lufte.

Ndryshe, Pjetër Shala i përfaqësuar nga mbrojtja e tij, ka dorëzuar në Apel kërkesën kundër urdhrit për zhdëmtim që iu shqiptua më 29 nëntor 2024, i cili e obligonte që t’iu paguante viktimave 208 mijë euro.

Duke u mbështetur në pesë pika, Shala kërkon që të Paneli i Apelit ta pezullojë shqyrtimin e apelimit kundër këtij urdhri për zhdëmtim derisa të shqyrtohet apelimi për dënimin me 18 vjet burg, ndaj tij për krime lufte ose ta anulojë masën e dhënë dhe ta kthejë atë në rishqyrtim tek një trup gjykues tjetër.

Më 16 korrik 2024, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim  ku u konstatua se përtej dyshimeve të bazuara është fajtor për pikat 1, 3 dhe 4 të akuzës. Ndërsa, aktualisht Shala është në proces të Apelit lidhur me këtë rast pasi që ka kërkuar mbrojtje të ligjshmërisë.

Shala u shpall fajtor për ndalim arbitrar si krim lufte kundër së paku 18 personave në periudhën mes 17 majit 1999 deri më 5 qershor të atij viti në Fabrikën e Metalit në Kukës, torturë si krim lufte kundër së paku 18 personave dhe vrasje e paligjshme si krim lufte kundër një personi.

Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 kishte filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars 2023 kishte filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht kishte filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. 

 
 
 
 

 

Të Ngjashme