Aktuale

“Me mbajt mend aq shumë, bëheshim doktora”, u shfaq në video duke marrë një “dhjetshe”, e pëson keq efektivi i Rrugores (NJOFTIMI)

Policia e Tiranës ka reaguar përmes një njoftimi zyrtar duke bërë me dije se është pezulluar nga detyra punonjësi i Policisë Rrugore me inicialet R.S. Në një video të shpërndarë sot në rrjetet sociale, ai shfaqej duke i marrë një qytetari para. Efektivi ishte me kokore, ndërsa dyshohet se ka kryer një veprim të kundraligjshëm gjatë ushtrimit të detyrës.

Në videon e shpërndarë në rrjete, polici i Rrugores dëgjohej teksa thoshte: “Ja vijmë vërdallë. Me mbajt mend aq shumë ne o vëlla, ishim bërë doktora”. E pikërisht kjo video i ka kushtuar aktualisht vendin e punës efektivit, ndërsa priten edhe veprimet proceduriale nga ana e AMP-së. Në njoftimin e Policisë së Tiranës thuhej:

“Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë

Menjëherë pas publikimit në rrjete sociale të një videoje ku pretendohet se një punonjës i Policisë Rrugore ka kryer një veprim të dyshuar të jashtëligjshëm gjatë ushtrimit të detyrës, ju informojmë se:

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në zbatim të rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar menjëherë nga detyra, deri në sqarimin e plotë të rastit, punonjësin e Policisë, inspektor R. S., me detyrë trupë shërbimi në Policinë Rrugore, në Komisariatin e Policisë Tiranë.

Gjithashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bazë të nenit 121, pika “d”, të Ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, ka nisur procedimin hetimor.

Po bashkëpunohet me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), e cila ka nisur menjëherë kryerjen e veprimeve hetimore e procedurale, me qëllim sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Policia e Shtetit falënderon median dhe qytetarët që denoncojnë rastet e abuzimit me detyrën nga punonjësit e saj, dhe i fton sërish ata të vijojnë të raportojnë çdo rast të tillë, duke i garantuar reagim të menjëhershëm, profesional dhe të paanshëm”.

Të Ngjashme